“Ngrohja me rrymë është luks”/Tetovarët ngrohen me dru, ajri në qytet vazhdon të jetë i ndotur

Tetova vazhdon të përballet me ajrin e ndotur. Si shkak për këtë llogaritet të jetë ngrohja me dru dhe makinat, ndërsa ngrohja me energji elektrike për shumë tetovarë nuk është mënyrë për t’u ngrohur për shkak të çmimi të lartë.

“-Me dru be vëlla shkurt! -A mendoni se e ndotën ajrin? -Nuk e ndotën. -Keni llogari me rrymë? -Nuk kemi llogari.”

“-Me dru ngrohem. -Keni llogari me rrymë? -E di si kam llogari 2 mijë euro për gjashtë muaj. -A mendoni se drurin e ndot ajrin? -E ndot le ta bëjnë rrymën ma lirë edhe kënaqemi po dy mijë euro paguaj gjashtë anëtarësh dhe pa rrogë nuk është shtet ky, është shtet katastrofë, është dy mijë euro gjashtë anëtarësh katastrofë është.

“-Më vjen keq ama për çdo ditë e hipin çmimin e rrymës, artikujve, druri është më lirë edhe pse druri është shtrenjtë në këtë kohë që jemi. -A mendoni se druri e ndotën ajrin ? -Asnjëherë e ndotim makinat që janë me naftë, benzinë dhe naftë këto e ndotin, fabrika nuk ka nga thuash se kanë punuar ata Jugohroni, Shikjellaku, Teteksi nga të gjithë i kanë mbyllur nga vjen ndotja”.

Nga shoqatat ekologjike vlerësojnë se numri i madh i makinave edhe ngrohja me dru bën që qyteti i Tetovës të jetë një ndër qytet më të ndotura në Maqedoni. Ndonëse u dhanë subvencione për kondicionerë inverterë, sipas Ngadhnjim Mehmetit nga Eko-Guerila, rritja e çmimit të rrymës bën që ngrohja me energji elektrike të jetë luks.

“Mënyra e ngrohjes është një nga problemet kryesore që duhet ta ulë nivelin e ndotjes, gazifikimi si proces vonohet me vite. Ndryshimet e çmimeve me energji elektrike shihet që në Maqedoni ngrohja me rrymë është një luks, prandaj masat kryesore duhet të fokusohen tek energjitë e ripërtëritshme për të cilën qeveria duhet të punojë me intensitet më të lartë, po ashtu problem është edhe trafiku enorm i madh i Tetovës, ku Tetova me rrugët që ka, nuk mund të përballojë një trafik me 40 mijë vetura”, tha Ngadhnjim Memeti, Eko Guerila.

Krahas thirrjeve të vazhdueshme të autoriteteve për të shmangur ngrohjen me dru dhe materie ndotëse, shumica dërmuese e qytetarëve të vendit vazhdojnë të ngrohen me dru. Ndërkaq, në Maqedoni nga fillimi i 2022-shit çmimi i energjisë elektrike u rrit me pothuajse 10%./TV21