Ngritet aktakuzë ndaj një 37-vjeçari në Shkup, tentoi të vriste vëllain e tij

Prokuroria Themelore Publike Shkup, pas kryerjes së një hetimi, ngriti aktakuzë kundër një personi, për të cilin provat japin dyshim për kryerjen e veprës penale “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 në lidhje me nenin 19, përkatësisht tentativë vrasjeje, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“I akuzuari 37-vjeçar, ndërsa kryente dhunë në familje në shtëpinë familjare në Marino, me dashje u përpoq ta privonte nga jeta vëllain e tij duke e goditur në kokë me një dru.

Edhe pse vëllai i tij u plagos rëndë nga goditjet dhe humbi ndjenjat, i akuzuari nuk u përpoq fare ta ndihmonte, por shkoi të flinte. Të nesërmen në mëngjes, ai vuri re se vëllai i tij ishte shtrirë në të njëjtin vend në një pellg gjaku, por e la përsëri, dhe e raportoi incidentin vetëm disa orë më vonë. I dëmtuari u konstatua se kishte pësuar lëndime të shumta të rënda trupore që i kërcënuan jetën”, thonë nga PTHP.

Prokurori publik i paraqiti gjykatës propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë.