Një gjykatë në Pakistan ka ngritur të hënën aktakuzë ndaj ish-kryeministrit të këtij vendi, Imran Khan, nën dyshimin se i ka publikuar dokumentet e klasifikuara, njoftoi partia e tij.
Kjo është një tjetër goditje për ish-kryeministrin e burgosur para zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen në janar 2024.
Khan akuzohet se e kishte bërë publik një dokument sekret të dërguar në Islamabad nga ambasadori i Pakistanit në Uashington.
Ai e mohon këtë dhe thotë se përmbajtje e dokumentit u publikua në media nga burime të tjera.
Khan tha se dokumenti ishte “dëshmi e një konspiracioni amerikan” për ta shtyrë ushtrinë pakistaneze ta rrëzojë atë nga pushteti përmes një vote mosbesimi në Parlament në vitin 2022, për shkak se ai e kishte vizituar Moskën pak para se Rusia ta pushtonte Ukrainën.