Ngjarje e rëndë në Çair: 16-vjeçari sulmohet dhe plagoset para një hoteli

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen Çair të Shkupit, ku një i mitur ka mbetur i plagosur pas një sulmi fizik. Sipas raportit zyrtar nga Sektori për Punë të Brendshme rasti është denoncuar rreth orës 02:42 pas mesnate. Prindi me iniciale R.S. (56) nga Shkupi ka raportuar se djali i tij 16-vjeçar është sulmuar përpara një objekti hotelier në zonën e Çairit. Sipas denoncimit, sulmi është kryer nga një i mitur tjetër, të cilin i plagosuri e ka njohur.

Gjatë përleshjes, sulmuesi ka përdorur një send të mprehtë dhe të fortë, duke i shkaktuar 16-vjeçarit lëndime trupore. Burime nga spitali “Shën Klimenti i Ohrit” bëjnë të ditur për Alsat se i mituri është sjellë në spital rreth një orë pas mesnate.

Mjekët konfirmojnë se pacienti ka plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë dhe gjendja e tij është stabile dhe po merr mjekimin e duhur. Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se po ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit./Alsat.mk.