Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se Kosova po dëmtohet nga moskrijimi i institucioneve të reja.
Ai ka deklaruar se dëmet nga ngërçi politik janë të shumfishta.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Haradinaj ka thënë se Kurti në mënyrë të qëllimshme nuk e ka shfrytëzuar afati 30 ditorë të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Dëmet janë të shumta si në planin e brendshëm ekonomik, të sigurisë, planin e jashtëm ndërkombëtar me kredibilitetin tonë. Dëmet financiare që nuk po i marrim fondet që na takojnë. Buxheti nuk po funksionon, të gjitha këto janë pasoja. Ishte dashur të shfrytëzohej 30-ditëshi për t’u gjetur formula për të zgjedhur kryeparlamentarin, sepse ka opsione për krijimin e qeverisë. Nëse jo, është dashur t’u kalonte e drejta partive të tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij, fajtori kryesor për këtë gjendje është Albin Kurti.
“Po e shihni që zoti Kurti po e mban peng Kosovën, e ka ndarë mendjen të bëjë keq e më keq vendin. Krejt çka po i ndodh Kosovës është në favor të armiqve të Kosovës, më së shumti të Serbisë dhe Rusisë. Ai po e udhëheq me përpikëri agjendën e tyre”, është shprehur ai.