Nga sot ju duhet një dokument për të hyrë në Britani, zbulohet edhe shuma sa duhet paguar për të

Qytetarët evropian që udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar kanë nevojë për një kalim digjital për të hyrë në vend nga sot, gjë që qeveria britanike thotë se do të forcojë sigurinë kufitare.

Leja elektronike e udhëtimit (ETA) mund të blihet online për 10 funte (12 euro) në ditët në vijim, dhe nga 9 prilli çmimi do të rritet në 16 funte (19 euro).

Leja do të jetë e detyrueshme për të gjithë evropianët që duan të vizitojnë Britaninë e Madhe nga 2 prilli, pasi e njëjta leje është futur në janar për qytetarët e SHBA-së, Kanadasë dhe vendeve të tjera që nuk kanë nevojë për vizë.

“Duke digjitalizuar sistemin e imigracionit, ne po i hapim rrugën kalimit kufitar pa kontakt në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Sekretarja e Migracionit, Seema Malhotra në fillim të këtij muaji, kur u hap ueb-faqja e parë e aplikacioneve.

Ajo shtoi se zgjerimi i ETA-s në vendet anembanë botës “përforcon angazhimin për të përmirësuar sigurinë përmes teknologjisë dhe inovacionit”.

Dokumenti lejon vizita deri në gjashtë muaj dhe është i vlefshëm për dy vjet. Është i detyrueshëm për të gjithë pasagjerët, përfshirë të miturit dhe të porsalindurit.

Leja mund të merret nga një aplikacion në telefona të mençur  ose nga faqja e internetit e qeverisë, dhe është e disponueshme për evropianët që nga fillimi i marsit.

Nga e mërkura, qytetarët e rreth tridhjetë vendeve evropiane, përfshirë të gjithë BE-në me përjashtim të Irlandës, do të duhet të kenë një leje elektronike për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila u largua nga BE në 2020.

Aplikanti duhet të bashkangjisë një pasaportë dhe foto të fytyrës. Procesi zgjat dhjetë minuta, sipas Ministrisë së Brendshme.

Në shumicën e rasteve, vendimi për aplikimin merret brenda pak minutash, por sipas qeverisë mund të pritet deri në tre ditë pune.