Infermierët dhe teknikët që kanë mbaruar arsim të lartë apo specializim, e të cilëve nga viti 2015 arsimi i tyre nuk u është paguar, prej shtatorit do të marrin kompensim të rrogës, paralajmëruan sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale, dr. Lubisha Karanfillovski.
“Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me dy drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor të cilët i siguruan fondet, duke filluar nga shtatori i këtij viti të gjithë infermieret dhe teknikët të cilët kanë mbaruar shkollën e lartë të Mjekësisë ose kanë specializimin dhe kanë fituar 180 ose 240 kredite (pika) do të marrin kompensimin e duhur për arsimin e tyre. Është përpiluar një aneks i marrëveshjes kolektive në përputhje me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore dhe mënyra në të cilën përcaktohet lartësia e rrogës”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Në sistemin tonë shëndetësor raporti është akoma shumë i ulët, pra rreth 23% janë infermierë me arsim të lartë dhe teknikë me arsim të lartë profesional. Kështu që shpresojmë se qasja e tillë, kjo shtesë, që do të thotë se të punësuarit do ta marrin diferencën mes koeficientit nga arsimi i mesëm dhe arsimi i lartë profesional, do të nënkuptojë njohja e tyre në sistemin shëndetësor”, potencoi Lubisha Karanfilovski nga Sindikata e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale.





