Pas stuhisë së fuqishme që këtë pasdite la pasoja në Shkup, meteorologët paralajmërojnë se drejt Maqedonisë së Veriut po lëviz një front i ri jostabil atmosferik. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka lëshuar paralajmërim për reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe mundësi për breshër.
Stuhia, e cila gjatë ditës përshkoi Malin e Zi, në orët e pasdites ka përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën dhe po lëviz drejt vendit tonë. Këtë herë nuk parashikohen erëra të forta, por rreziku kryesor vjen nga reshjet intensive të shiut, thonë sinoptikanët.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) u bëhet apel qytetarëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm, të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhisë, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, të mbrojnë automjetet nëse është e mundur dhe të ndjekin njoftimet e institucioneve kompetente.
Institucionet u bëjnë gjithashtu thirrje qytetarëve të mos bllokojnë kanalet kulluese dhe pusetat, të largojnë nga ballkonet dhe oborret objektet që mund të merren nga stuhia, si dhe të raportojnë çdo situatë të rrezikshme në numrin emergjent 112.



