Në një cep të Bit Pazarit të Shkupit, prej më shumë se 50 vitesh, një familje po e ruan një traditë të ëmbël.
Me afrimin e festës së Bajramit, ky dyqan i vogël merr një gjallëri të veçantë. Klientët besnikë rikthehen çdo festë për kore të freskëta, kadaif e jufka.
Për këtë familje, ky zanat nuk është thjesht mënyrë jetese, por një përgjegjësi për të ruajtur traditën.
“Rreth 50 vite, që kur gjyshi im i ndjerë ka qenë i gjallë, ai e ka hapur e babai im e ka udhëhequr me dy vëllezërit e vet dhe kështu bartet nga gjenerata në gjeneratë, nga brezi në brez dhe kështu vazhdon tradita. Mundohemi që myshteri të jenë të kënaqur, me cilësi dhe të kemi gjithnjë koret më të mira. Për festa ka më së shumti punë, e meqë ne në Maqedoni kemi shumë festa, kështu që gjithnjë sillet puna… jo me këtë intensitet si për Bajram, por ka rregullisht punë”, tha Eldin Qazimi – pronar i dyqanit.
Ka klientë që për 10 vite me radhë vijnë në këtë dyqan, pasi siç thonë, produktet këtu janë të freskëta dhe më të mirat.
-Bakllavë edhe arra… po përgatisni ende në shpi bakllava? I blejmë të gatshme dhe i përgatisim se për t’i përgatit ka shumë punë ashtu tradicionale.
-Këtu është më së miri, këtu marrim dhe jemi mësuar, është më sigurt. Sa vite me radhë blini këtu? Prej se e mbaj mend. Përafërsisht? Po sipas meje për mua që 10 vjet blej këtu.
-Çdo vit blejmë këtu, janë të mrekullueshëm, të bëjmë pak reklamë janë të mrekullueshëm.
-Këtu koret e bakllavasë janë më të mirat nga të gjitha vendet, vetëm këtu marrim. Që sa kohë blini këtu? Ohooo… shumë gjatë, me vite.
Edhe pse sfidat e kohës moderne janë të shumta dhe zanatet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të rralla, kjo familje mbetet e vendosur të vazhdojë rrugën e nisur dekada më parë.






