Nga fëmijë refugjat nga Kosova në autore: Lena Rexhepi sjell historinë e saj në tri gjuhë

Lena Rexhepi, e cila u largua nga Kosova si fëmijë gjatë luftës, ka botuar librin e saj të parë, kushtuar luftës, integrimit dhe sfidave të jetës në diasporë.

Në librin “But Where Are You Really From? – Foreign There, Foreign Here: From Kosovo to Denmark”, Rexhepi rrëfen udhëtimin e saj nga Kosova drejt Danimarkës, përvojat e zhvendosjes, identitetin dhe sfidat e të qenit pjesë e dy kulturave, transmeton albinfo.ch.

Libri, një autobiografi prej rreth 244 faqesh, është botuar në anglisht, danisht dhe shqip, me autoren që ka shkruar dhe përkthyer vetë të tri versionet.
Përmes historisë së saj personale, Lena Rexhepi trajton edhe ndikimin afatgjatë të luftës, emigrimit dhe përpjekjes për të gjetur një ndjenjë përkatësie mes vendit të origjinës dhe atij ku ndërtohet jeta e re, transmeton tutje albinfo.ch.

Rexhepi, e cila sot vepron si shkrimtare dhe rrëfimtare, ka ndërtuar edhe një podcast me të njëjtin emër, ku trajton tema të identitetit, kulturës dhe jetës mes dy botëve.

Një rrëfim personal që lidh Kosovën, Danimarkën dhe përvojën e diasporës përmes letërsisë./Albinfo.ch