Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski. paralajmëroi se nga 1 janari përveç që sindikatat do ta llogarisin shportën minimale konsumatore edhe ata si Qeveri do të bëjnë llogaritje për shportën mesatare konsumatore, e cila do të jetë për të paktën një familje me katër anëtarë.
Në këtë temë do të bisedohet në Këshillin Ekonomik – Social, i cili është caktuar më 22 dhjetor.
“Një nga pikat sigurisht që do të jetë llogaritja e shportës mesatare konsumatore, e cila u vendos në mbikëqyrje të sindikatave dhe punëdhënësve për ta parë, nëse e miratojnë. Nga 1 janari, përveç shportës minimale sindikale, do të kemi edhe një shportë mesatare konsumatore në nivel të Republikës së Maqedonisë, e cila do të jetë e dobishme për ne si ekonomi dhe qeveri për strategji të mëtejshme në politikat ekonomike dhe sigurisht për ruajtjen e standardit të jetesës”, thotë Risteski.
I pyetur cilat parametra do të merren gjatë llogaritjes së shportës së re mesatare konsumatore, Risteski thotë se do të merren çmimet nga supermarketet më të mëdha.
“Shikoni, parametrat do të merren nga marketet më të mëdha në Maqedoni, parametrat do të merren nga produktet ushqimore bazë, për gjithçka që nevojitet për një jetë mesatare, për një familje mesatare maqedonase. Ato do të merren edhe nga rajone të ndryshme dhe më shpesh frutat dhe perimet do të merren nga ajo që është karakteristike për periudhën, kur llogaritet gjatë vitit”, thotë Risteski.
Ai shtoi se kjo nuk do të jetë shporta e vetme, e cila do të llogaritet për herë të parë nga një institucion zyrtar.
“Po planifikojmë të llogarisim edhe shporta të tjera, si për shembull për një familje me dy anëtarë, tre anëtarë, sepse kjo mesatare do të jetë për të paktën një familje me katër anëtarë, pastaj për pensionistët etj. Këto janë qëndrime të mëtejshme që duhet t’i diskutojmë dhe t’i dakordojmë në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social”, thotë Risteski.
Sa i përket pagës minimale, Risteski theksoi se ne kemi Ligj të përhershëm për llogaritje të pagës minimale.
“Kështu zgjidhja duhet të ndodhë në fund të marsit, më 31 mars 2026. Megjithatë, ne jemi sigurisht të hapur, transparentë si Qeveri dhe Ministri e Ekonomisë dhe Punës, për t’i dëgjuar sindikatat dhe punëdhënësit. Nëse ajo që u është propozuar sindikatave dhe punëdhënësve është e vlefshme, nëse ata bien dakord për një ndryshim të formulës ekzistuese, për një pagë më të lartë, ne si Qeveri do ta respektojmë atë. Derisa të bien dakord, ne kemi një Ligj që duhet ta respektojmë dhe sipas atij Ligji, sipas llogaritjeve, rritja e pagës minimale duhet të jetë nga 1.700 në 2.000 denarë”, tha Risteski.




