Nexhipi para dy javëve kishte kryer ushtrinë, Veleshta me dhimbje pranoi lajmin nga Vjena (VIDEO)

Banorët e Veleshtës me dhimbje të madhe kanë pranuar lajmin për sulmin në Vjenë, ku në mesin e viktimave ishte edhe bashkëfshatari i tyre, Nexhip Vrenezi, shkruan gazeta LAJM. Siç rrëfejnë ata, Nexhipi ka jetuar në një qytezë 10 kilometra jashtë Vjenës, kurse natën e kobshme kishte ardhur në qendër të kryeqytetit austriak për të qerasur një shok të tij gjerman, për punën që duhej të fillojë. Në momentin e sulmit, ata kanë qenë jashtë restorantit duke pirë cigare. Shoku i tij austriak ka shpëtuar pa asnjë plagë, kurse për Nexhipin sulmi ka qenë fatal.

I gjithë fshati ndan dhimbjen me familjen Vrenezi, familje e respektuar mërgimtarësh, e njohur për aktivitet kombëtar e humanitar.
Ekipi i Lajm Tv ka vizituar këtë fshat të madh të Strugës. Imami i xhamisë së fshatit, Kadri Shehu, dënon sulmin në Vjenë, duke theksuar se dhuna nuk duhet të tolerohet me asnjë kusht.

Banorët e Veleshtës kanë përcjellur lajmet për sulmin në Vjenë prej të dielën në mbrëmje, kurse të hënën në mëngjes e kanë kuptuar lajmin e kobshëm për bashkëfshatarin e tyre.

Familja e Nexhip Vrenezit ka mërguar në Vjenë që në kohën e gjyshit të tij. Para dy javëve ai ka kryer ushtrinë. Siç tregojnë bashkëfshatarët, ai me familjen për herë të fundit në Veleshtë kanë qenë në qershor të këtij viti./Gazeta LAJM