Komandot amerikane në Izrael po ndihmojnë për të gjetur pengjet e rrëmbyer dhe të dërguar në Rripin e Gazës, më 7 tetor gjatë sulmit të Hamasit në territorin jugor të Izraelit, shkruan New York Times.
Gazeta citoi Christopher P. Maier, ndihmës Sekretar i Mbrojtjes, të thoshte në një konferencë në Uashington: “Ne po i ndihmojmë në mënyrë aktive izraelitët të bëjnë më shumë gjëra”.
Ai tha se detyra kryesore është të ndihmohet në “identifikimin e pengjeve, përfshirë edhe ata amerikanë”.
Zyrtarët anonimë i thanë New York Times se disa dhjetëra anëtarë të Forcave të Operacioneve Speciale të SHBA kanë arritur së fundmi.
Ata do të ndihmojnë në gjetjen e pengjeve, por edhe në evakuimin dhe sigurimin e ambasadave në rajon nëse është e nevojshme, raportojnë mediat izraelite.




