Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shkarkuar shefin e shërbimit të sigurisë për dështimin e tij për të parashikuar sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi.
Kabineti izraelit u mblodh të enjten në mbrëmje për të aprovuar zyrtarisht shkarkimin e Ronen Bar, i cili ishte caktuar në detyrë në tetor 2021 për një mandat 5-vjeçar në krye të agjencisë Shin Bet.
Netanyahu ka thënë se ka pasur “mosbesim të vazhdueshëm” midis të dyve që është “rritur me kalimin e kohës”, raportoi BBC.
Vendimi ka nxitur kritika dhe i ka ndezur më shumë demonstratat antiqeveritare në Jerusalem, ku mijëra izraelitë u bashkuan me protestuesit që kundërshtuan sulmet e reja të Izraelit në Gaza.
Që nga e marta, Izraeli ka nisur një valë sulmesh në territorin palestinez duke e prishur marrëveshjen për armëpushim që ishte në fuqi për dy muaj.