Netanyahu kundërshton çdo përpjekje për për krijimin e një shteti palestinez

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua të dielën se do të kundërshtojë çdo përpjekje për të krijuar një shtet palestinez, një ditë përpara se Këshilli i Sigurimit i OKB-së të planifikonte të votonte për një rezolutë të hartuar nga SHBA-të për Gazën , e cila lë derën hapur për pavarësinë palestineze.

Por, ndërsa SHBA-të përpiqen të çojnë përpara propozimin e tyre për armëpushim në Gaza, ai përballet me presion të madh ndërkombëtar për të treguar fleksibilitet, shkruan AP.

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë mbi një propozim të SHBA-së për një mandat të OKB-së që do të krijonte një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza, pavarësisht kundërshtimit nga Rusia, Kina dhe disa vende arabe.

Hamasi dhe fraksionet palestineze paralajmëruan të dielën kundër propozimit të SHBA-së, duke e quajtur atë një përpjekje për të imponuar një mandat ndërkombëtar në Gaza që është i anshëm ndaj Izraelit dhe i privon palestinezët nga e drejta për të menaxhuar punët e tyre.