Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do t’u drejtohet ligjvënësve amerikanë në Uashington më 24 korrik, kanë njoftuar udhëheqësit e Kongresit.
Bëhet e ditur se ai do të zhvillojë diskutime me të dy dhomat e Kongresit, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa lufta në Gazë vazhdon.
Netanyahu tha se ai është “shumë i prekur që do të ketë privilegjin të përfaqësojë Izraelin” dhe sipas tij “për të paraqitur të vërtetën për luftën e izraelitëve”.
Në ftesën drejtuar Netanahut, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dhe udhëheqësi i pakicës së Senatit, Mitch McConnell, thanë se shpresojnë që Netanyahu do të përfitojë nga rasti për të “ndarë vizionin e qeverisë izraelite për mbrojtjen e demokracisë, luftimin e terrorit dhe krijimin e një paqeje të qëndrueshme në rajon”, shkruan BBC.
Edhe pse kjo vizitë vjen në një kohë kur marrëdhëniet e SHBA-së me Izraelin janë të tensionuara, demokrati i lartë i Senatit, Chuck Schumer, tha në një deklaratë të veçantë se ai e mbështet ftesën, pavarësisht “mosmarrëveshjeve të tij të qarta dhe të thella me kryeministrin”.




