Nesër rifillon rikonstruimi i bulevardit “Vëllezërit Gjinovski” në Gostivar

Komuna ka njoftuar se duke filluar nga dita e nesërme do të nisin punimet për vazhdimin e rikonstruktimit të bulevardit “Vëllezërit Gjinovski”, konkretisht në krahun e majtë nga hyrja e qytetit.

Sipas njoftimit, punimet do të zhvillohen në segmentin që përfshin pjesën nga rrethrrotullimi në kryqëzimin me rrugën “Sedek Kostovski” deri te kryqëzimi me rrugën “Shumatovska”.

Gjatë periudhës së realizimit të projektit, trafiku në këtë zonë do të zhvillohet me regjim të reduktuar. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm dhe, kur është e mundur, të shfrytëzojnë rrugë alternative.

Nga Komuna kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët, duke falënderuar paraprakisht për durimin gjatë zhvillimit të punimeve, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet.