Nesër do të votohet qeveria e re në Kosovë, VV-ja mbledh firma për zgjedhje

Deputetët nesër pritet të votojnë për Qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Avdulla Hoti i LDK-së. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Arben Gashi tha se tashmë i kanë siguruar numrat e nevojshëm për tu votuar Qeveria.

Ne jemi të sigurt që e kemi thirrur një seancë për nesër në ora 11 dhe në të cilën secili deputet mbi bazën e bindjes së vet do të votojë”-tha Arben Gashi, LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se në seancën e nesërme deputetët e kësaj partie do të veprojnë konform mandatit të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje sikur gjithmonë edhe nesër do të jetë në anën e të drejtës së qytetarëve për të zgjedhurin e vet, do të jetë në përputhje me qëndrimet e saja politike dhe secili deputet do të jetë në përputhje me mandatin e tij dhe me besimin që ua kanë dhënë qytetarët”-pohoi Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

I pyetur se a mund të pritet të ketë gaz lotsjellës apo protesta në sheshet e Prishtinës, ai tha se nuk mund të jenë aq të parashikueshëm nga oponentët e tyre.

Nesër do të jemi në përputhje me mandatin tonë dhe nuk mund të jemi aq të parashikueshëm nga oponentët tanë që tash të ndajë me opinionin diçka të ngjashme”-tha Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

Selimi që edhe u nënshkrua në peticionin e Vetëvendosjes për të kërkuar zgjedhje, tha se askush nuk mund t’ua rrëmbejë fitoren, qoftë me rrugë jo kushtetuese si dekreti i presidentit apo vendimi, sipas tij, i padrejtë i Gjykatës Kushtetuese. Pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, LDK-ja ka arritur koalicion të bashkëqeverisjes më Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 nëntorit të vitit të kaluar, LDK-ja doli partia e dytë në zgjedhje. Në rast të votimit të suksesshëm në Kuvend të qeverisë Hoti, atëherë, Kosova për herë të parë do të ketë një qeveri në kuadër të së cilës nuk është partia fituese e zgjedhjeve.