“Nëse, Zoti na ruajt,…”: Zelensky ngre alarmin për rrezikun që mund të sjellë një sulm ndaj termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia

Askush në botë nuk mund të ndihet i sigurt kur një shtet terrorist – Rusia – qëllon në termocentralin bërthamor të Zaporizhia.

Kështu ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Unë fola sot me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. E informova për situatën në fushën e betejës, për kërcënimin që Rusia krijoi duke goditur termocentralin bërthamor të Zaporizhias. Nuk ka një komb të tillë në botë që mund të ndjehet i sigurt kur një shtet terrorist qëllon në një central bërthamor”. tha Zelensky.

Andaj ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të japë një përgjigje parimore ndaj sulmeve ruse në termocentralin bërthamor Zaporizhia.

“Nëse, Zoti na ruajt, nëse ndodh diçka e pariparueshme, askush nuk do ta ndalojë erën që do të përhapë ndotjen radioaktive. Prandaj, një përgjigje parimore e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtyre sulmeve ruse ndaj centralit të Zaporizhia – më i madhi në Evropë – është i nevojshëm tani”, ka shtuar Zelensky.

Ndryshe, gjatë orëve të fundit është raportuar për një sulm të ri në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, pasi paralajmërimet nga zyrtarët janë rritur gjithnjë e më shumë, sidomos këtë javë.

Dhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha në fillim të kësaj jave se situata ishte “jashtë kontrollit” dhe ishte bërë “jashtëzakonisht serioze” dhe “e rrezikshme”, përcjell Telegrafi.