Stopimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk është bllokuar nga taksa, por nga rrezikimi i zhbërjes së shtetit të Kosovës nga ndryshimi i territoreve. Derisa pa njohjen reciproke mes dy shteteve në kufijtë aktual nuk mund të ketë paqe në rajon, por luftë.
Kështu u tha sot në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës që ka organizuar mbi rrugën finale të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë rast u kërkua rinisja e dialogut mes dy shteteve dhe zbatimi në praktikë i rreth 33 marrëveshjeve të arritura më herët mes Kosovës dhe Serbisë para marrëveshjes finale.
Ish-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri duke kritikuar pretendimet për ndryshime të territoreve, tha se nëse nuk ka njohje të qëndrueshme me Serbinë me kufijtë aktual, do të ketë luftë.
Tahiri bëri thirrje gjithë skenës politike në Kosovë që të mendojnë në mënyrë gjeopolitike, pasi opsionet që janë vënë në tavolinë për ndryshime të kufijve janë të dëmshme për shtetin e Kosovës.
“Dialogu nuk është ndal për taksën është ndal për çështjen që ke tu u rrezikuar Kosova. Një Kosovë që vështirësi e ka fituar të drejtën për pavarësi…Pa njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Do të ketë luftë, siç i kemi mbrojtur 100 vjet i mbrojmë prapë”, tha Tahiri.
Ish-deputeti nga komuniteti serb në Kosovë, Nenad Rashiq kërkoi largimin e taksës në mënyrë që të rinisë dialogu me Serbinë. Ai theksoi nevojën që serbët e Kosovës të inkuadrohen në procesin e këtij dialogu, teksa shtoi se idetë për ndryshimin e kufijve janë të dëmshme për gjithë rajonin.
“Jam absolutisht i bindur se po të kishte çfarëdo ndryshimi kufijsh do të krijonte një efekt zinxhiror në të gjithë rajonin, madje dhe më gjerë. Për këtë arsye mendoj se përgjegjësia e BE-së është dukshëm më e madhe se ne e shfaqim… Mënyra e vetme pra është dialogu. Por dialogu që do të kishte qëllim pajtimin, jo dialog për fatin e keq e kemi tani. Por një dialog që do të sillte tek pajtimi. Në këtë dialog duhet të jenë të aktiv edhe serbët e Kosovës, jo kështu siç është situata tani”, tha ai.
Ndërsa profesori universitar që kishte bërë raportin në kuadër të KDI-së, Barthok Bashota e konsideroi të nevojshëm rikthim në dialog, derisa vuri në pah nevojën që të zbatohen gjitha marrëveshjet e deri më tanishme mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e dina që konsiderohet se janë zhvilluar diku 40 raunde të negociatave në përgjithësi mendohet se janë arritur diku rreth 33 marrëveshje. Por nëse e shohim bilancin e implementimit mbetet për të dëshiruar akoma sa i përket implementimit të marrëveshjeve. Prandaj mbi këtë bazë shoqëria kosovare sigurisht ka të drejt që të jetë skeptike dhe të pretendojë që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kuadrin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, tha ai.
Qysh prej nëntorit të vitit 2018 kur Qeveria Haradinaj i ka vënë taksën 100 për qind mallrave serbe si pasojë e lobimit të tyre për çnjohje të Kosovës, dialogu me Serbinë është stopuar. Pala serbe po kërkon fillimisht largim të saj pastaj rifillim të dialogut, derisa Haradinaj ka theksuar se heqja e taksës mund të ndodhë vetëm pas njohjes së Kosovës si shtet nga Beogradi zyrtar./ Insajderi.com