Nëse respektohen masat kolonat s’janë problem, Memeti flet për rrëmujën në kufirin e Bllacës

Nëse qytetarët i respektojnë masat anti-Kovid, siç janë ruajtja e distancës dhe mbajtja e maskës, nuk do të paraqesin problem kolonat e gjata në vendkalimin kufitar në Bllacë.

Kështu u përgjigj drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti në pyetjen se a pritet që Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të shqyrtojë rikthimin e testit PCR me Kosovën. Thotë se kolonat e gjata janë kolona të gjata, por bëhet shqetësuese në rast se të njëjtat bëhen shkak i transmetimit të virusit Kovid mes shtetasve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

-Nëse kufijtë janë të hapur me Republikën e Kosovës, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Mos të sjellim situatë që të kemi transmetim të sëmundjes të qytetarëve tanë me Republikën e Kosovës dhe anasjelltas. Çdo kush që shkon, duhet të shoqërohet me rregullat dhe normat për respektimin e masave dhe rekomandimeve,- tha Shaban Memeti, drejtor i ISHP-së.

Për kolonat e gjata u diskutua edhe në seancë qeveritare. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani tha se pamjet në vendkalimin kufitar në Bllacë janë shqetësuese dhe apeloi deri te qytetarët të mos e keqpërdorin kufirin”. Kjo sepse siç tha, ai, vala e re është më agresive, ndërkaq nga ana tjetër kapacitetet spitalore shkojnë drejt shterjes.

Ndërkohë, nga Instituti i Shëndetit Publik qetësojnë, kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për të luftuar me valën e re.

-Kemi kapacitete laboratorike, kemi reagensë të nevojshëm për detektim të Covid-19 dhe vlerësime epidemiologjike të caktuara,-deklaroi Shaban Memeti, drejtor i ISHP-së.

Në emisionin “10 minuta” Memeti foli edhe për raportin e ri të Institutit, ku është vlerësuar se të infektuarit e fundit janë të rinjtë dhe për këtë apeloi që të rinjtë të argëtohen në ahengje, por duke respektuar masat.