“Nëse menduat se u ndalëm, gabuat!” – Studentët shqiptarë paralajmërojnë protestën e dytë në Shkup për provimin e Jurisprudencës në shqip

Nëse menduat se e ndalëm, gabuat! Të parën e shpërfillët, e dyta po vjen!” – me këtë mesazh të fuqishëm studentët shqiptarë të Fakulteteve Juridike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur mobilizimin për protestën e dytë në Shkup, duke rikthyer në qendër të vëmendjes kërkesën që provimi i Jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Pas protestës së parë, studentët thonë se institucionet dhe përfaqësues politikë shqiptarë premtuan zgjidhje të shpejtë të problemit, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

Në ndërkohë reagoi edhe Avokati i Popullit, duke dërguar shkresë zyrtare në Qeveri, ndërsa u paralajmërua edhe formimi i një grupi pune për tejkalimin e problemit. Megjithatë, sipas studentëve, gjithçka ka mbetur vetëm në nivel deklarativ.

“Premtime pati shumë, por rezultat nuk ka. Asnjë vendim, asnjë ndryshim konkret dhe asnjë afat i qartë”, thonë organizatorët e protestës.

Sinjalet e para për organizimin e protestës së dytë tashmë kanë nisur. Pasditen e së dielës, studentët shqiptarë të degës Juridik nga universitetet shqiptare në vend, të cilët protestuan edhe herën e kaluar në Shkup, filluan mobilizimin nga Kumanovë, duke paralajmëruar zgjerim të aktiviteteve dhe koordinim më të madh në ditët në vijim.

Mesazhe dhe mbishkrime protestuese janë shfaqur në disa qytete të vendit, ndërsa studentët këmbëngulin se kërkesa e tyre nuk është politike, por një e drejtë elementare – mundësia për ta dhënë provimin profesional në gjuhën amtare.

Ajo që fillimisht u trajtua si një problem administrativ, tashmë po shndërrohet në një revoltë më të gjerë studentore. Në qendër të kritikave janë institucionet që, sipas studentëve, vazhdojnë ta zvarrisin zgjidhjen e një problemi që prek drejtpërdrejt mijëra studentë dhe të diplomuar shqiptarë, ndonëse bëhet fjalë për një të drejtë themelore të garantuar me ligj. (INA)