Fejzi HAJDARI
Deklarata e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, për “takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner” nuk është një fjali që mund të kalojë si batutë në korridoret e një gjykate. Nëse ajo që tha Hyseni mbështetet me prova, atëherë përballë nuk kemi vetëm një episod të një dosjeje penale, por një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Dhe pyetja e parë është elementare:
Si është e mundur që agjentë të një shërbimi të huaj të zhvillojnë takime në mes të Tiranës dhe strukturat shqiptare të sigurisë të mos dinë asgjë?
Nëse nuk kanë ditur, kemi të drejtë të pyesim se çfarë sigurie kombëtare kanë garantuar. Nëse kanë ditur, atëherë duhet shpjeguar kush i ka ditur këto takime, për çfarë qëllimi zhvilloheshin, me kë takoheshin dhe në çfarë kuadri institucional.
Kjo është arsyeja pse çështja nuk mund të mbyllet vetëm me fatin juridik të Vlora Hysenit.
“Rogneri” nuk është një hotel anonim në periferi të Tiranës. Për shqiptarët, sidomos për ata që kanë ndjekur zhvillimet politike e kombëtare të dekadave të fundit, ky emër lidhet edhe me një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe me figura të UÇK-së që kanë qëndruar aty.
Prandaj, vetëm përfytyrimi se në të njëjtin hotel mund të jenë zhvilluar takime të fshehta me agjentë serbë, kërkon sqarim të plotë institucional.
Jo insinuatë, jo heshtje, por prova e përgjigje!
Edhe më shqetësues bëhet problemi kur në qendër të zhvillimeve ndodhet vetë drejtuesja e institucionit që duhet të jetë ndër mburojat kryesore të shtetit. Vlora Hyseni është vendosur në arrest shtëpie dhe është pezulluar në kuadër të hetimit të SPAK-ut; raportimet për dosjen flasin për dyshime që lidhen me nxjerrjen e të dhënave sekrete dhe përkrahjen e autorit të krimit. Këto janë akuza dhe dyshime nën hetim, jo fajësi e provuar.
Por, politikisht pyetja mbetet: Si arriti shteti shqiptar deri këtu?
Edi Rama nuk mund të konsiderojë të mbyllur përgjegjësinë politike vetëm duke shkarkuar drejtuesen e SHISH-it pasi drejtësia ndërhyri. Ai e propozoi Vlora Hysenin për drejtimin e SHISH-it në vitin 2023, ndërsa pas masës së sigurisë deklaroi se ajo do të largohej menjëherë dhe se “askush nuk është mbi ligjin”.
Mirëpo, Shqipërisë i duhen përgjigje për atë që ka ndodhur para ndërhyrjes së SPAK-ut.
Çfarë dinte qeveria? Çfarë dinte SHISH-i? A ekzistonin informacione për takime me persona të lidhur me shërbimet serbe? Nëse po, kujt i ishin raportuar? Nëse jo, si mund të mos i dinte institucioni përgjegjës për kundërzbulimin?
Dhe këtu hyn pashmangshëm edhe dimensioni politik i marrëdhënieve Rama–Vuçiç.
Afërsia politike dhe bashkëpunimi publik mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit, janë një gjë. Veprimtaria e shërbimeve të inteligjencës, është krejt tjetër. Nuk ka sot prova publike që lejojnë të thuhet se marrëdhënia Rama–Vuçiç ka mundësuar apo mbuluar takime të agjentëve serbë në Tiranë. Por pikërisht për të shmangur dyshime të tilla, institucionet shqiptare duhet të tregojnë se çfarë ka ndodhur, sepse siguria kombëtare nuk funksionon me formulën: Hyn e dil, Isuf-Qamil!
Nëse një agjent i huaj vepron në territorin shqiptar, shteti duhet të dijë kush është, çfarë kërkon dhe me kë takohet. Aq më tepër kur bëhet fjalë për përfaqësues të mundshëm të shërbimeve të Serbisë, një shtet me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike, por që vazhdon të ketë një konflikt të pazgjidhur politik me Kosovën.
Prandaj deklarata e Vlora Hysenit nuk duhet trajtuar si një episod koti për tituj portalesh. Ajo kërkon hetim, transparence bile-bile kërkon edhe përgjegjësi institucionale e politike.
Nëse deklarata rezulton e pavërtetë, publiku duhet ta mësojë këtë, por nëse rezulton e vërtetë, shqiptarët kanë të drejtë të dinë kush i takonte agjentët serbë në Tiranë, pse i takonte, çfarë informacioni shkëmbehej dhe kush në hierarkinë e shtetit shqiptar ishte në dijeni. Për hskak se problemi atëherë nuk do të ishte më vetëm Vlora Hyseni.
Problemi do të ishte funksionimi i vetë sistemit të sigurisë kombëtare.



