Nëntë zjarre aktive në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut është duke u përballur me nëntë zjarre aktive, përfshirë me zjarre të reja në Ohër dhe në Shkup, njoftoi të shtunën drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizaa, Stojance Angelov.

Një zjarr i madh është përhapur në zonën e komunës së Ohrit, në fshatin Kosel, i cili rrezikon të përhapet edhe në një pyll me pisha.

Zjarret kanë shpërthyer edhe në zonën e Shkupit, në komunën e Zelenikovës, dhe afër fshatit Ljubanci.

Angelov thotë se zjarri më i madh është në malet e Osogovës, në terren të paarritshëm, i cili është aktiv prej ditësh, prandaj autoritetet kanë vendosur t’i përdorin tetë helikopterë – tre maqedonas, një serb, dy hungarezë, një slloven dhe një çek – për ta shuar atë.

 

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se helikopteri i saj, Airbus H215 Super Puma, me tre tonë ujë, me gjashtë pjesëtarë të Njësisë së Helikopterëve dhe një pjesëtar të Sektorit të Emergjencave, është dërguar në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Angelov shtoi se zjarri në komunën e Makedonski Brodit, në rajonin e fshatrave Tazhevë dhe Breznicë, po vazhdon prej disa ditësh në terren vështirë të qasshëm dhe se të shtunën atje është dërguar një helikopter policor, si dhe një ekip nga Hungaria me 46 zjarrfikës dhe automjete speciale.

Zjarri në Plasnicë është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e tij, si dhe zjarri i pyjeve në Pehçevë.

Angelov tha se në Maqedoninë e Veriut këtë verë është regjistruar një numër rekord i zjarreve dhe se gjatë korrikut ka pasur 620 zjarre në natyrë dhe në pyje, prej të cilave 611 janë shuar.

“Rekordi ishte më 29 korrik, kur kishim 66 zjarre aktive në një ditë”, tha Angelov./REL