9 vite më parë shqiptarët lëvizën për herë të parë pa viza në 27 vendet evropiane të zonës Shengen. Me anë të një videomesazhi, Lulzim Basha kujton që për shqiptarët kjo ishte një ëndërr e bërë realitet, ndërsa thekson se integrimi në BE do të jetë një nga sfidat për të cilat do të kërkohet shumë punë dhe vullnet.
Në një moment të vështirë për vendin tonë pas tërmetit të 26 nëntori, Kryetari i PD, Lulzim Basha me anë të një video në rrjetin social facebook u ka kujtuar qytetarëve një nga ditët historike për vendin tonë.
9 vite më parë në atë kohë ministër i Brendshëm ai kujton sesi me një grup të rinjsh udhëtuan për herë të parë pa viza në zonën Shengen.
Basha: Para 9 vitesh, si Ministër i Brendshëm, shoqërova grupin e parë të studentëve dhe të të rinjve shqiptarë që udhëtuan pa viza në Bashkimin Europian. Bashkë, plotësuam një ëndërr, lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sot, dua t’ju uroj të gjithëve dhe t’ju garantoj se do të bëj gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar shpresat dhe dëshirat e gjithsecilit prej jush për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Ju uroj një të diel të mbarë!
Në kushtet kur opozita është jashtë parlamentit dhe kur ka ndalur betejën politike për shkak të fatkeqësisë natyrore, Basha ka një premtim të bëjë gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësim në BE.
Basha: Ju garantoj që do të bëj gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar shpresat dhe dëshirat e gjithsecilit prej jush për Shqipërinë anëtare të BE.
Pak muaj më parë Holanda kërkoi rikthimin e vizave për shqiptarët për shkak të përfshirjes së tyre në krimin e organizuar. Ndërsa në tetor arritjet e Shqipërisë nuk bindën liderët europianë për hapjen e negociatave me Brukselin, për shkak të mosplotësimit të kushteve dhe politikave të brendshme të unionit.