Nënshkruhet marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve nga Italia

Kosova dhe Italia sot e kanë nënshkruar Marrëveshjen dypalëshe për Njohjen e Ndërsjellë të Patentave të Shoferit.

Ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, ka thënë se marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht sot në Romë, në një ceremoni nga ministri e Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe të Mobilitetit të Qëndrueshëm të Italisë, Edoardo Rixi.

Haxhitasim theksoi se kjo marrëveshje e rëndësishme përfaqëson një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, duke lehtësuar jetën e qytetarëve tanë që jetojnë në Itali, por edhe të qytetarëve italianë që jetojnë në Kosovë.

“Falë kësaj Marrëveshjeje, qytetarët e pajisur me patentë shoferi të lëshuara në një nga dy vendet, do të mund të ndjekin procedurat e parashikuara për të marrë konvertimin e patentave të tyre, sipas vendbanimit të tyre”, ka thënë ambasadorja.

Përfaqësuesja e vendit tonë në Itali, në fund tha se për procedurat përkatëse dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes, do të njoftohet opinioni pasi të jenë kompletuar procedurat e brendshme ligjore në secilin vend. /Klankosova.tv