Negociatat për qeverinë e re në Kosovë qartësojnë edhe postin e kryetarit të Kuvendit

Ndonëse konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës janë dy procese të ndara, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, po përpiqen që të finalizojnë marrëveshjen eventuale të koalicionit qeverisës, para seancës konstituive të Kuvendit, të thirrur më 24 dhjetor.

Posti i kryetarit të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës dikton një dinamikë të tillë. Në bazë të Kushtetutës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, por nëse LVV-ja dhe LDK-jamerren vesh, ky post mund t’idorëzohet edhe partisë së dytë, LDK-së.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është e domosdoshme në këtë moment.

Sipas tij, për këtë i obligon vullneti i elektoratit, por edhe nuk duhet të rrezikojnë shkuarjen në zgjedhje të reja pa e pasur vendi një buxhet të miratuar për vitin pasues. Ai thotë se, mosmarrëveshjet aktuale ndërmjet dy partive, lidhen me insistimin e LDK-së për postin e presidentit të vendit.

“Mosmarrëveshja lidhet me një perceptim nga Lëvizja Vetëvendosje që LDK-ja është duke kërkuar shumë, që në këtë rast është posti i presidentit, Mirëpo, unë mendoj që në ato fusha ku Vetëvendosje ka premtuar në zgjedhje reforma, është presidenti i vendit, që ka ingerencat kryesore. Vetëvendosje ka tentuar që ta kompensojë këtë duke kërkuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, sepse kjo ka qenë pjesa thelbësore e fushatës së tyre (zgjedhore), por, megjithatë, duket se brenda LDK-së ka rezistencë ose ka një përpjekje që Ministria e Punëve të Brendshme mos t’i lihet Lëvizjes Vetëvendosje dhe të insistohet në të deri në fund”, vlerëson Muja.

Gjatë ditës së mërkurë janë takuar liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të punuar drejt arritjes së një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës.

Pas takimit, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se takimet do të intensifikohen edhe ditëve të ardhshme, deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Po ashtu, edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit të së mërkurës, kanë thënë se të dy liderët janë pajtuar që t’i intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje ndërmjet dy partive./rel