Negociatat për anëtarësim në BE, Rama: Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë detaje lidhur me hapjen e fazës së mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në “Shënimet e Javës”, Rama ka deklaruar se më 26 maj, Shqipëria është ngjitur në pikën më të lartë sa i përket procesit të integrimit në familjen evropiane.

“Tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian sot”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se ky është një moment jashtëzakonisht kuptimplotë i kësaj rruge drejt anëtarësimit.

“Është një moment që sigurisht vjen me shumë satisfaksion, por njëkohësisht vjen edhe me shumë përgjegjësi, pasi ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave dhe kjo nuk është një datë në kalendarin e integrimit, por është një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit”, ka thënë ai.
Rama ka deklaruar se reformat kanë qenë tejet të vështira dhe sfiduese.

“Është domethënëse që Bashkimi Europian konfirmon faktin e përmbushjes së suksesshme të të gjitha detyrave të deritanishme, pikërisht në ato fusha që lidhen me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe me funksionimin e institucioneve demokratike”, ka shtuar tutje Rama.

Sipas tij, faza e fundit nuk është e lehtë, por kërkon përgjegjësi të madhe për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.

“Kemi një hapësirë të ndërmjetme në vitin 2028 dhe kemi objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030″, ka thënë kryeministri shqiptar.