Plot 19 ditë kanë zgjatur bisedimet mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit pas përfundimit të grevës nga ana e arsimtarëve, për të arritur në një marrëveshje konkrete. Kryetari i SAShK-ut, Nedellkov pas përfundimit të takimit disa orësh tha se më në fund kanë arritur në një marrëveshje të kënaqshme nga të dyja palët. Ai konfirmoi po ashtu, si ministri Shaqiri, se rritje të pagave do të ketë nga muaji shtator me 15 për qind. Ndërsa e njëjta marrëveshje vlen edhe me Ministrinë e Politikave Sociale për kopshtet.
“Pas 19 ditësh bisedime arritëm në një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët. Pagat do të rriten me 15 për qind nga muaji shtator. Rritje të pagave do të ketë edhe për punonjëset e kopshteve. Pikë të tjera kemi ende për të diskutuar si kontratat kolektive dhe pagesa e pagave gjatë ditëve të grevës, si dhe rritja e pagave minimale”, deklaroi kryetari i SAShK-ut, Nedelkov.