Patatja e Sharrit është një produkt i njohur në Pollog, sidomos patatja e Vicës. Me qëllim për të promovuar këtë produkt në Vicë të Tetovës është shënuar Dita e Patates. Njëri nga kultivuesit e shumtë të patates thotë se sivjet sezoni ka qenë i mirë dhe patatja nuk mungon.
“Ne si prodhues e kemi edhe trashëgimi prej prindërve. 28–30 tonë në vit nxjerrim nga të mbjellat, por ka fshatarë të tjerë që mbjellin edhe më shumë. Tërë fshati jeton nga patatja e Vicës, andaj edhe në treg dua që të mos keqpërdoret emri i patates së Vicës, por të shitet kualiteti”, tha Refik Arifi, kultivues i patates.
“Qëllimi i këtij manifestimi është ta promovojmë Malin Sharr si park kombëtar, të rikthejmë deltarinë që ishte me vite. Ta kthejmë qengjin e Sharrit si më të shijshëm, por edhe djathin si brend të Sharrit, por gjithsesi edhe racën e deles së Sharrit”, pohoi Mome Mlladenovski, kryetar i Kooperativës Bujqësore Ovçepolka.
Fermerët thonë se Ministria e Bujqësisë duhet të fokusohet më tepër tek rritja e subvencioneve, sepse sipas kreut të fermerëve të Sharrit, kjo do të ndikonte në rritjen e prodhimit dhe cilësisë.
“Problemi primar është çështja e subvencioneve. Subvencionet duhet të bëhen në një datë të caktuar sepse e dini, gjithë blegtorët në shkurt duhet t’i kenë të sigurta subvencionet, sepse për shkak të saj fermerëve iu rrit çmimi i ushqimeve”, u shpreh Naser Xhemaili, kryetar i fermerëve të Sharrit.
Manifestimi, që për të dytin vit me radhë organizohet në fshatin malor Vicë të Tetovës, organizohet nga Kooperativa “Sharri”, ndërsa financohet nga Ministria e Bujqësisë dhe organizata evropiane të të njëjtës veprimtari.