Në shiritin e kohës

Shkelzen Halimi

SI U GODIT LIBRI I LEXIMIT I ADNAN DHE KIMETE AGAIT!?

Me qëllim që të luftohen dhe pengohen “armiqtë e brendshëm” (shqiptarët) në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, komunistët maqedonas, ndër të tjera, do të formojnë edhe një grup të veçantë për t’i analizuar tekstet shkollore (sidomos librat e leximit). Ky grup përbëhej prej 14 anëtarëve, 9 prej të cilëve ishin shqiptarë. Ata fare lehtë do të pajtohen që librat e leximit me autorë shqiptarë të hiqen nga përdorimi dhe të asgjësohen. Këta 9 shqiptarë (disa akoma janë gjallë) sot e kësaj dite, çuditërisht konsiderohen si personalitete që i kanë “dhënë” shumë arsimit dhe kulturës shqiptare. Por, dokumentet e Arkivit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dëshmojnë të kundërtën, do të jenë pikërisht këta 9 shqiptarë që deri në palcë do të degradojnë arsimin shqip, duke u pajtuar edhe me disa qëndrime absurde, siç ishte konstatimi se: “shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria indoktrinonin nxënësit shqiptarë në Maqedoni”!? Në fakt, detyrë e këtij grupi ishte vlerësimi ideo-arsimor i teksteve shkollore në gjuhën shqipe, por edhe shkalla e përshtatshmërisë me kërkesat (e atëhershme) programore.
Ky grup i “ekspertëve” pati për detyre ta analizojë edhe Librin e Leximit të klasës së pestë, të autorëve Adnan dhe Kimete Agai. Recensentë të këtij libri ishin Xheladin Murati, Musa Arifi dhe Emin Pustina, ndërkaq botues “Prosvetno Dello”. Libër Leximi i Adnan dhe Kimete Agait për herë të parë ishte botuar në vitin 1971, ndërkaq në vitin 1980 ishte realizuar ribotimi i pestë. “Ekspertët” e këtij grupi kishin konstatuar se ky Libër Leximit përmbante 158 tekste të përfshira në 196 faqe, prej të cilave 15 ishin të autorëve të huaj, 32 të autorëve nga radhët e kombësisë shqiptare (mendohet për autorë shqiptarë në RSFJ), 39 të kombeve dhe kombësive tjera, 42 të autorëve nga RSP e Shqipërisë dhe 30 tekste nga krijimtaria popullore.
Fatkeqësisht, “mëkati më i madh” i Adnan dhe Kimete Agai, do të konsiderohet përfshirja e autorëve nga Shqipëria, gjë që kishte mjaftuar për të marrë vendim unanim për largimin dhe asgjësimin e këtij libri, nga i cili kishin mësuar shumë gjenerata. Kjo ishte një periudhë shumë e errët, me të cilën atëbotë u ballafaquan shqiptarët në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë…