Në rrezik në mes të detit pranë ishullit të Sazanit – shpëtohen disa persona pas përkeqësimit të motit

Policia Kufitare e Vlorës ka reaguar me shpejtësi mbrëmjen e djeshme, duke shpëtuar disa shtetas që udhëtonin me një veliere, e cila kishte pësuar vështirësi në lundrim për shkak të motit të keq dhe dallgëve të larta.

Pas kontrollit të ekuipazhit, u konstatua se të gjithë personat ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishin pësuar lëndime.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:20, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se një tjetër veliere, që ndodhej rreth 3 milje në perëndim të Ishullit të Sazanit, kishte vështirësi në lundrim, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe errësirës, dhe personat në bordin e saj po rrezikoheshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua ndërhyrja nga mjeti lundrues i Stacionit të Mjeteve Lundruese Triport, i cili u nis drejt koordinatave të raportuara.

Rreth orës 20:20, veliera u lokalizua dhe u shoqërua në mënyrë të sigurt në brendësi të Gjirit të Vlorës, ku ndaloi në zonën e “Bove”, pranë Plazhit të Vjetër. Nga komunikimi me ekuipazhin, rezultoi se shtetasit ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftim.