Në rajonin e Tetovës qarkullojnë automjete me probleme teknike

Nëpër rrugët e vendit, vazhdojnë edhe më tej të qarkullojnë automjete me defekte të shumta, duke i vënë kështu në rrezik udhëtarët. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë, alarmojnë se, dhjetëra makina që transportojnë madje edhe nxënës, gjatë kontrolleve të inspektoratit rezultojnë me defekte të shumta, sidomos në sistemin e frenimit. Vetëm në një kontroll të automjeteve transportuese, janë gjetur 16 furgonë dhe autobusë që kryejnë transport me probleme të shumta teknike.

Pjesa më e madhe e tyre, apo gjashtë, kanë qenë me parregullsi në pajisjet e frenimit,  ndërsa katër makina, nuk kanë pasur të kryer kontrollin e jashtëzakonshëm teknik. SPB Tetovë në përgjithësi apelon gjithnjë te qytetarët, kompanitë dhe personat juridik që kryejnë transportin publik, se krahas përgjegjësisë së tyre personale bartin edhe përgjegjësinë e udhëtarëve që i transportojnë e në këtë rast, kemi të bëjmë me nxënësit që vihen në rrezik potencial me këto parregullsi teknike- deklaroi Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB-SË Tetovë.

Nga Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës, thonë se kontrollet bëhen me kërkesë të tyre, por nuk shpjegojnë se çfarë masash marrin kundër kontraktuesve që bartin nxënës, tek të cilët hasen parregullsi teknike në automjetet e tyre.

Kjo bëhet me kërkesën tonë, në bashkëveprim me MPB-në, dhe në koordinim me operatorët, që kanë fituar furnizimin publik prej shkollave. Sa iu përket masave, dënimeve që merr policia apo pezullimet, janë kompetente organet e policisë dhe ata duhet të përgjigjen nëse janë kthyer apo jo, sepse sektori për arsim nuk është kompetent në këtë drejtim- tha Ahmed Qazimi, Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës.

Ekipi i televizionit Alsat, tentoi të marrë qëndrim edhe nga Inspektorati Shtetëror i Transportit, por askush nuk deshi të përgjigjet me arsyetimin se kanë udhëtime jashtë shtetit. Në Tetovë dhe rrethinë, në mungesë të transportit publik, nxënësit dhe udhëtarët e tjerë transportohen nga 117 pika në ditë, për të cilët janë të angazhuar rreth 100 automjete private për kryerjen e kësaj veprimtarie.