Në pritje të Kodit Civil…

Tash e më shumë se një vit, Ana Ilazi ka nisur një epokë të re në jetën e saj. Sapo u largua nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, kur mbushi 18 vjeç, ajo nisi studimet për fizioterapi dhe punën si infermiere. Por, ky fillim i ri nuk ka qenë po aq i lehtë sa do të donte.

E ulur në një karrigë në oborrin që më parë ishte shtëpia e saj, 19-vjeçarja kujton momentin e parë kur ishte dashur të gjejë një tjetër vend për ta quajtur shtëpi.

“Moshën 18 vjeç s’është që e kam pritur shumë e emocionuar sepse e kam ditur se çfarë më pret pasi të dal. Kam qenë shumë e vogël kur kam ardhur këtu dhe jam rritur me këta njerëz. Më kanë rritur, shkolluar dhe pastaj, kur vjen në një moshë të caktuar, ti duhet të përballesh me realitetin”, thotë Ana për REL-in.

Realiteti me të cilin u përball Ana ishte nevoja që t’ia dilte mbanë e vetme: të gjente punë, të vazhdonte studimet, të gjente vendbanim, të paguante të gjitha faturat…

“Ata [fëmijët që janë rritur me prindër] s’punojnë sapo i bëjnë 18 vjet. Ne duhet të punojmë, të paguajmë qira…. të bëjmë gjëra që ndoshta një 26-vjeçar nuk i bën. E ne jemi 18 vjeç në atë fazë kur çdo gjë fillon e re. Jo krejt dinë ta menaxhojnë, jo krejt dinë të përballen me të”, shton Ana.

 

Për këtë arsye, kërkesë e Anës dhe e SOS Fshatrave të Fëmijëve është që fëmijët pa përkujdes prindëror të marrin mbështetje deri në moshën 26-vjeçare, e jo vetëm deri në moshën 18-vjeçare.

SOS Fshatrat e Fëmijëve i ndihmojnë këta të rinj në tre vjetët e parë pas largimi nga SOS-i duke ua mbuluar një pjesë të shpenzimeve dhe duke u ofruar shërbime. Por, Remzije Krasniqi, që ka punuar në SOS për më shumë se 20 vjet, beson se këta të rinj kanë nevojë për më shumë përkrahje.

“Duke pasur parasysh kulturën tonë dhe sistemin brenda familjes… nuk është që të rinjtë në familje biologjike, menjëherë pasi mbushin 18 vjeç, dalin të jetojnë vetëm”, thotë Remzije Krasniqi, drejtore e avokimit në SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Për këtë arsye, SOS-i dhe organizata të tjera joqeveritare kanë avokuar që në Kodin Civil të përfshihet edhe mbështetja financiare për këta të rinj deri në moshën 26-vjeçare. Qëllimi i tyre u arrit pjesërisht: kjo kërkesë u përfshi në Projektkodin Civil, mirëpo ai ende nuk është miratuar.

Më 16 mars të vitit të kaluar, Projektkodi Civil nuk kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Mospajtimet e deputetëve ishin lidhur me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Më herët, krerët e bashkësive fetare në Kosovë e kishin kundërshtuar lejimin e “bashkësive civile”, pasi thanë se ripërkufizohet familja dhe martesa.

Remzija e cilëson si të pakuptueshme që të mbeten shumë kategori në pritje vetëm për shkak të kundërshtimit të një pike. Kjo pasi që, siç shprehet ajo, edhe ligje të tjera do të mbeten të kufizuara derisa të miratohet Kodi Civil.

“Ligji për Shërbime Sociale, Ligji për Familje dhe Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve e kanë bazën që vjen nga Projektkodi Civil. Ne, bashkë me [Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve] KOMF-in, kemi dorëzuar propozim që Projektkodi Civil të mos bllokohet për një çështje të caktuar dhe kategoritë e tjera të penalizohen”, thotë ajo.

Një vit më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se Projektkodi Civil do të miratohej në Kuvendin e Kosovës së shpejti. Tani, Ministria e Drejtësisë ka përsëritur deklaratën se drafti i Kodit Civil “pothuajse është i finalizuar” dhe se do të procedohet së shpejti për votim në Qeveri.

Kush do të përfitonte nga Projektkodi Civil?

Në Raportin e këtij viti të Progresit, të publikuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor, Kodi Civil përmendet disa herë. Përveç rëndësisë së këtij dokumenti për personat e komunitetit LGBTI (lesbikë, gej, biseksual, transgjinore dhe ndërgjinor), Kodi Civil vlerësohet i rëndësishëm edhe për çështje të tjera.

“Asnjë hap nuk është marrë për ta miratuar Kodin Civil, që do ta mundësonte përkrahjen për personat në përkujdes deri në moshën 26-vjeçare, në vend të 18-vjeçare”, thuhet në Raport të Progresit.

Aty, gjithashtu, shtohet se Kodi Civil do ta përforconte “mbrojtjen e të drejtave fundamentale dhe civile të grave” dhe do ta përmirësonte trajtimin e fëmijëve “në situatë veçanërisht të cenueshme”.

Çfarë thotë Projektkodi Civil për martesat e hershme?

Ligji aktual në Kosovë mundëson martesën mes personave qysh në moshën 16 -vjeçare, me pajtim të prindërve. Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2022 martesat e hershme dhe me detyrim theksohen si problem veçanërisht në mesin e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, boshnjak dhe goran.

Neni 1140 i Projektkodit Civil synon ta rregullojë këtë problem duke përcaktuar moshën 18-vjeçare si minimalen për lidhje të martesës.

Çfarë thotë Projektkodi Civil për ndarjet?

Ligjet e Kosovës përcaktojnë që “institucioni i martesës duhet të ruhet”, që do të thotë se bashkëshortët inkurajohen të kalojnë nëpër procedura të pajtimit para se të bëhet shkurorëzimi.

Në raportin e organizatës ndërkombëtare Amnesty International, të publikuar më 30 gusht, citohen viktima të dhunës në familje që kanë raportuar se punëtorët social u kanë bërë presion të kthehen tek abuzuesit e tyre.

Projektkodi Civil përcakton, përmes nenit 1186, që “në rastin e dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës në baza gjinore, nuk do të zhvillohet procedura e pajtimit për ruajtjen e martesës”.

Çfarë thotë Projektkodi Civil për martesat ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë?

Kundërshtimet më të zëshme ndaj Projektkodit Civil kishin të bënin me nenin 1138. Ky nen parasheh hartimin e një ligji që do t’i lejonte “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”.

Megjithatë, ai përcakton që martesa është “bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme”, që do të thotë se nuk mundëson martesën midis personave të gjinisë së njëjtë.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka bërë ndryshime në këtë nen, mirëpo nuk ka dhënë detaje se çfarë ndryshimesh janë bërë. Kristian Rrasaj, këshilltar ligjor në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL), shprehet i zhgënjyer që në Projektkodin Civil nuk ishte paraparë të lejohet martesa mes personave të gjinisë së njëjtë.

“Nuk mund të them specifikisht që nuk e përkrahim këtë draft. Por, mendimi ynë është që çfarëdo Kodi që nuk e përfshin martesën mes personave të gjinisë së njëjtë nuk do ta kalonte testin e kushtetutshmërisë”, thotë Rrasaj për REL-in.

 

Kushtetuta e Kosovës thotë se “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Edhe Avokati i Popullit kishte bërë thirrje vitin e kaluar që marrëdhëniet familjare të personave me sekse të njëjta të njihen dhe të definohen me Kodin Civil, pa asnjë dallim dhe në të njëjtën mënyrë sikurse personat me sekse të kundërta – që do të thotë të përfshiheshin në pikën për martesë./REL