Në prag të 100 ditëshit të Qeverisë! Opozita nuk heq dorë nga interpelanca, pushteti ka dhënë maksimumin

Ngadalë po skadojnë 100 ditët e Qeverisë. Njohësit komentojnë jostabiliteti që e ka shkaktuar pandemia, ka bërë që 100 ditët e Qeverisë së Zaevit të jenë më të vështirat në historinë politike. Edhe përkundër kësaj, blloku opozitar nuk heq dorë nga interpelanca. Përgjegjësi duhet të ketë, është decid Skender Rexhepi, i cili i përfaqëson qëndrimet e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

“Ne kërkojmë përgjegjësi, sepse pushteti për shkak të pandemisë dhe negociatave me BE duhet të japë dorëheqje për të formuar një Qeveri të gjerë”, tha Skender Rexhepi – Koalicioni “Tash është Koha”.

Koalicioni ASH-Alternativë, më shumë ankesa ka rreth negociatave me Bullgarinë. Thonë se pushteti dëshiron të mbledhë pikë pozitive, por në këtë rast janë kategorik se Zaevi dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë sjellë vendin në kolaps.

“Ata nuk ishin të vetëdijshëm se duhet të ulen të gjithë liderët politikë në vend, edhe nga pushteti, edhe nga opozita, për të arritur një qëndrim të përbashkët dhe mënyrë për ta tejkaluar problemin”, theksoi Skender Rexhepi – Koalicioni “Tash është Koha”.

Në 100 ditët e kaluara, Qeveria ka qenë më e përqendruar në çështjen e pandemisë dhe në masat për riparim të dëmeve në sektorët më të prekur, thonë nga Besa. A ka frikë pushteti nga interpelanca?

“Jo, aspak. Ky është vetëm një instrument tjetër të cilin opozita dëshiron ta shfrytëzojë për t’i thënë gjërat e njëjta – se asgjë nuk është e mirë, as përballja me krizën shëndetësore, as përballja me masat ekonomike. Se gjithçka është e keqe, me shpresë se do të shkaktojnë ndonjë krizë politike që të vijë deri te zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.

Në vijë të njëjtë është edhe Arben Zyberi nga BDI-ja. Thotë se Qeveria gjatë kësaj periudhe e ka dhënë maksimumin e saj, kurse fokusi ishte pandemia me Covid-19.

“Normalisht se partitë opozitare mund të kërkojnë edhe interpelancë sepse Qeveria është stabile, koalicioni është stabil, nuk ka asnjë problem brenda tij, kështu që nuk mendoj se mund të ndodhë një gjë e tillë”, potencoi Arben Zyberi nga BDI.

Të gjithë së bashku duhet të angazhohemi për të gjetur një zgjidhje të përbashkët sa i takon çështjes me Bullgarinë, por ata nuk mund ta prishin stabilitetin që e kemi brenda koalicionit qeverisës, shton Zyberi.

Shumica parlamentare është e qëndrueshme, pohon edhe Jovan Mitrevski nga radhët e LSDM-së. Nga kjo parti thonë se VMRO-DPMNE-ja, bën spin përmes të gjitha hapave.

“Spini i VMRO-DPMNE-së është vetëm që ta mbajë anëtarësinë e vet në mashtrim dhe vetëm që Mickoski ta mbajë kolltukun e tij. Pyetja, në ditën e votimit për interpelancë të mundshme do të jetë e parashtruar anasjelltas, kurse opozita do të duhet ta shpjegojë arsyen e zvogëlimit të mbështetjes parlamentare për politikat katastrofike të VMRO DPMNE-së”, tha Jovan Mitrevski nga LSDM.

Pas protestës së sotme, e pyetëm edhe liderin e VMRO-DPMNE-së se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të partisë pasi të kalojnë 100 ditët e Qeverisë Zaev 2? Ai nuk deshi të përgjigjet, vetëm tha se 100 ditët ende nuk kanë kaluar, prandaj të mërkurën partia e tij do të prononcohet lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, në ditën e votimit të Qeverisë së re, Zaevi nga foltorja premtoi standard dhe perspektivë më të mirë për qytetarët. Paralajmëroi edhe një periudhë stabiliteti politik, por më vonë u përball me trazira të shumta rreth kontestit me Bullgarinë dhe hapjes së kapitullit evropian të vendit tonë./Tv21