Nuk është e sigurt nëse nga 1 shkurti do të nisë zbatimi i sistemit për ndëshkimin e shoferëve përmes “Safe City”, pasi në Kuvend ende nuk është siguruar shumica prej dy të tretash dhe shumica e Badenterit për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Kundërvajtjet, përcjell INA.
Opozita e BDI-së nuk i mbështet ligjet e propozuara nga qeveria, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se ende nuk ka marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare, edhe pse nuk ka vërejtje për përmbajtjen e ndryshimeve.
“Nëse arrihet marrëveshje, ndryshimet ligjore menjëherë do të futen në seancë parlamentare për t’u votuar. Deri tani, në koordinimet e grupeve parlamentare nuk ka pasur vërejtje lidhur me tekstin e ndryshimeve. Arsyeja pse ky ligj nuk po mbështetet është çështje marrëveshjeje mes grupeve parlamentare”, tha Gashi.
Ndryshimet parashikojnë që gjobat për kundërvajtjet e regjistruara nga kamerat e “Safe City” t’u dërgohen shoferëve përmes SMS-it ose postës elektronike, me afate të përcaktuara ligjore për pranimin e njoftimit.
Me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet synohet që gjoba për kundërvajtjet e evidentuara përmes kamerave të “Safe City” t’i dërgohet shoferit përmes SMS-it ose përmes postës elektronike.
“Dërgimi i njoftimeve për kundërvajtjet e konstatuara nga një sistem i posaçëm elektronik bëhet përmes dërgimit të një mesazhi tekstual në telefonin mobil ose në adresën elektronike që e ka paraqitur pronari i automjetit. Në njoftim do të dërgohet një link për shkarkimin e procesverbalit për kundërvajtjen e kryer në komunikacion, së bashku me urdhërpagesën për kundërvajtje. Nëse pronari i automjetit, përkatësisht personi përgjegjës në personin juridik, nuk e hap njoftimin brenda 24 orëve nga dërgimi i njoftimit të parë, do t’i dërgohet një njoftim i dytë me linkun për shkarkimin e procesverbalit me urdhërpagesën për kundërvajtje. Afati për shkarkimin e procesverbalit për kundërvajtjen e kryer në komunikacion me urdhërpagesë nga linku i dërguar është 8 ditë nga dita e pranimit të njoftimit. Pas kalimit të afatit prej 8 ditësh nga dërgimi i njoftimit të dytë për shkarkim nga linku, konsiderohet se dorëzimi është kryer në mënyrë të rregullt edhe pa u shkarkuar dokumenti. Dorëzimi mund të bëhet edhe përmes një aplikacioni digjital, në përputhje me ligjin”, thuhet në ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtjet.
Ligji parashikon gjithashtu konfiskim të përhershëm të automjeteve për shoferët nën ndikimin e alkoolit ose drogës, si dhe heqje të patentë-shoferit.(INA)






