Në përfundim të fushatës zgjedhore: Me hatër e mëshirë nuk shkohet përpara

Shkruan Mahi Nesimi

Gjatë mbarë fushatës zgjedhore pretendentët për pushtet folën shumëçka për të kaluarën të cilën e dijmë të gjithë ndoshta edhe më mirë prej tyre. Ajo që dëgjuam për të ardhmen ishte e përgjithësuar dhe paksa e paqartë. Në funksion të asaj që duhet bë në të ardhmen shkëputa një copëz nga libri im “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit”, që në një vëllim prej 500 faqe u botua vitin e kaluar. Në dy faqet e fundit të librit qëndron teksti i mëposhtëm.

Në projektimin e së ardhmes fillimisht duhet të ndodhë kthesa e madhe e konceptimit të patriotizmit dhe zhvillimit të kombit që më tutje duhet mbjellë në
trurin e çdo shqiptari që flet dhe mendon për të ardhmen. Në këtë vijë duhet qartësuar dhe ndërtuar disa qëndrime. Duhet vetëdijesuar se shqiptarizmi – te
shqiptarët e Maqedonisë – nuk do të ecë përpara me hatër, me mëshirë, me lutje,
me mallkime, me sharje, me kërcënime, me bindje e as me intervenime. Me asgjë jashtinstitucionale.
E mira e përgjithshme – patriotizmi nuk i duron manifestimet e tilla moralizuese, sepse ato ndikojnë në shtrirjen e papërgjegjësisë që dalëngadalë sjell paraqitjen e anarkisë institucionale. Nga kjo degradohet puna profesionale për të mirën e përgjithshme dhe ngulfatet angazhimi dhe përkushtimi për atdhetarizëm. Për dallim nga nacionalizmi, patriotizmi nuk duron krekosje, nuk duron folklorizëm dhe emocione, nuk duron dhe nuk njeh fjalë, por vepra. Ai është konkret dhe nuk duron improvizime e mashtrime. Ne kemi nevojë për patriotizëm krijues, prodhues.
Patriotët e vërtetë, ata që shpirtërisht e duan të mirën e popullit, nuk duhet t’u thurin lavde dhe t’u mbajnë anë abuzuesve të mjeteve të popullit. Nuk duhet të arsyetojnë dhe të mëshirojnë jopuntorët e matrapazët. Nuk duhet të solidarizohen e të mëshirojnë keqbërësit që me veprimet e veta ndikojnë negativisht në sigurinë, ndarjen e të drejtës, shëndetin, arsimimin dhe çdo gjë që karakterizon zhvillimin e përgjithshëm të popullatës. Kjo në radhë të parë duhet të bëhet filozofi e veprimit të të zgjedhurve dhe të emëruarve, sepse janë ata, për fat të keq, që me veprimet e veta në radhë të parë karakterizojnë dhe stimulojnë veprime jo të mira.
Shqiptarët duhet të vetëdijesohen edhe për veprimet e veta. Të mbajnë llogari për besimin që ia delegojnë dikujt që të flasë në emër të tyre. Duhet të bëhen koshientë se kujt ia japin besimin, sepse, siç thotë Bertrand de Jouvenel, „… një shoqëri delesh me kohë lind një qeveri ujqërish”.
Forcimi i patriotizmit shqiptar duhet të bëhet moto e punës dhe e sjelljes së të gjithëve pa përjashtim. Sukseset do të jenë të prekshme kur çdo individ do ta kryejë punën e vet me ndershmëri, përgjegjësi e profesionalizëm. Rrugëdalje tjetër për një të ardhme më të mirë vështirë se gjendet.
Kthesa e konceptimit të patriotizmit dhe fuqizimi i tij është nevojë aktuale dhe duhet të ndodh sa më shpejtë.
Megjithatë, obligimi parësor në radhë të parë i kreatorëve të politikës, po edhe i mbarë popullatës është këmbëngulja për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor si çelës i vënies së rendit në shoqëri, sepse:
1.Pa shtet ligjor nuk do të ndalet asnjë e keqe.
2. Pa shtet ligjor nuk do të ndalen keqbërësit e të gjitha llojeve dhe ngjyrave.
3. Pa shtet ligjor nuk do të kemi as rend, as qetësi e siguri.
4. Pa shtet ligjor nuk do të kemi as shëndetësi as arsim cilësor.
5. Pa shtet ligjor të pasurit do të vazhdojnë të pasurohen në kurrizin e të
varfërve.
6. Pa shtet ligjor do të vjedhë kush të dojë, si të dojë e çka të dojë.
7. Pa shtet ligjor nuk do të përgjigjet asnjë hajdut institucional.
8. Pa shtet ligjor nuk do të ndërtojmë asgjë të vyeshme.
9. Në mungesë të shtetit ligjor nuk do të bëhet asgjë e mirë dhe shqiptarët edhe më tutje do të mbeten duke bërë dua, duke lutur Zotin t’u sjellë ditë më të mira.
10. Shteti ligjor është nevojë jetike e shqiptarëve të Maqedonisë për arsye se vetëm funksionimi i tij është garanci për një të ardhme më të mirë. Prandaj, janë pushtetarët – posaçërisht shqiptarë – që nuk duhet të bëhen
frenues të reformave, por bartës, prijatar të tyre.
Për fund të këtij shkrimi zgjodha thënien e mëposhtme të Mehdi Frashërit.
„Me gjithë që ligja dolli nga parlamenti, por kur duhej të vihej në zbatim, me influencën e grabitësve u zgjodhën gjyqtarë të pazotë dhe puthadorë, dhe pas pak kohe ligja u la dore krejt. Edhe kjo provon se populli shqiptar, po s’pati guxim që t’i shkojë hajdutët nga litari, kurrgjë nuk është për t’u bërë”.

Loading...