Kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në ora 12 i ka thirrur në Kuvend liderët e partive parlamentare, ku do të diskutohet për ardhmërinë evropiane të vendit dhe vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend me një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.
Në këtë takim liderësh pjesëmarrjen e kanë konfirmuar thuajse të gjitha partitë parlamentare, përpos Lëvizjes BESA e cila sot do të shpalos qëndrimin, ndërsa nuk do të marrë pjesë partia “E Majta”, përcjell INA.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dje tha se do të shkojë në takim dhe “me zë të lartë do të thotë se arsyeja më e vërtetë për të cilën do të kishte përmbajtje një mbledhje liderësh është biseda për problemet reale të njerëzve të uritur, dhe për zgjedhje të parakohshme që janë rrugëdaljen nga kjo situatë. Ai shtoi se sa i përket ndryshimeve në Kushtetutë, ajo çështje është temë e mbyllur për VMRO-DPMNE-në, sepse, siç tha, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në këto rrethana dhe pa garanci për të ardhmen evropiane për shkak të kushteve të ardhshme të Bullgarisë.
BDI theksoi se do të jenë në takimin e liderëve duke parë si të rëndësishme zhvillimet aktuale, ku duhen përgjigje dhe qëndrime serioze për agjendën evropiane.
Aleanca për Shqiptarët njoftoi se e pranojnë ftesën e Kovaçevskit, por se do të kërkojnë heqjen e 20 përqindëshit dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Lëvizja BESA theksoi se sot, një orë para takimit të planifikuar, kreu i tyre Kasami do të mbajë një konferencë për media ku do të bëjë të ditur qëndrimin e tij.
Nga Alternativa po ashtu theksuan se do të jenë të pranishëm në këtë takim të thirrur nga kryeministri.
“E majta” është e vetmja parti parlamentare që ka refuzuar të marrë pjesë në mbledhje sepse “partia nuk ka çfarë të diskutojë për këtë temë, ndryshimet kushtetuese”.
Kryeministri Kovaçevski tha të shtunën se mbledhjen e liderëve e ka thirrur me qëllim që të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend të diskutojnë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të gjitha vendimet që duhet të merren në një konsensus të gjerë, social dhe politik.
Sipas deputetëve të zgjedhur, numri i liderëve të partive parlamentare është 20. (INA)