Në mënyrë të jashtëligjshme, gjyqësori gjatë vitit 2024, ka marrë më pak para nga buxheti

Gjyqësori dhe Prokuroria Publike nuk i kanë marrë fondet e nevojshme për punën e tyre nga Buxheti bazë për vitin 2024, e që janë paraparë me Ligjin për Buxhetin Gjyqësor dhe Ligjin për Prokurorinë Publike. Fondet, në përputhje me nevojat e Gjyqësorit dhe Prokurorisë, nuk u siguruan as me ribalancin e buxhetit, por u zvogëluan edhe më tej, transmeton Portalb.mk.

Kjo është theksuar nga Enti Shtetëror i Revizionit në raportin mbi Buxhetin Bazë për vitin 2024, të titulluar “Dobësitë e identifikuara në planifikimin, rialokimin dhe realizimin e fondeve buxhetore për vitin 2024”.

Siç thotë edhe vetë titulli bëhet fjalë për një revizion të realizuar nga ESHR për përputhshmërinë e Buxhetit Bazë të shtetit për vitin e kaluar në aspektin e planifikimit, përgatitjes, miratimit dhe zbatimit të tij.

Kështu, në paragrafët hyrës revizori shtetëror thekson se ndryshimet mes shpenzimeve maksimale të përcaktuara nga Qeveria, fondeve të kërkuara nga shfrytëzuesit buxhetorë dhe fondeve të miratuara nga Buxheti e theksojnë rrezikun që buxheti i miratuar nga Ministria e Financave “mund të mos i pasqyrojë nevojat reale të shfrytëzuesve buxhetorë për realizimin e qëllimeve të përcaktuara”.

Në këtë pjesë, në raportin e ESHR-së thuhet se Buxheti Bazë për vitin 2024 nuk i siguron fondet e parapara ligjërisht për Gjyqësorin, Prokurorinë Publike dhe zhvillimin e balancuar rajonal që parashihen me Ligjin për Buxhetin Gjyqësor, Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Ligjin për Zhvillimin e Barazpeshuar Rajonal.

“Me analizën për vitin 2024 konstatuam se: me ribalancin e buxhetit dhe vendimin për rialokimin e fondeve midis shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe midis fondeve, buxheti i miratuar për Pushtetin Gjyqësor është zvogëluar për 42.639.000 denarë, megjithëse neni 4 i Ligjit për Buxhetin Gjyqësor përcakton se në rast të ribalancit të buxhetit, fondet e destinuara për financimin e Pushtetit Gjyqësor nuk mund të zvogëlohen”, thuhet në raportin e revizorit shtetëror.

Sa i përket zbatimit të nënprogramit për zhvillim të barazpeshuar rajonal, nga ESHR theksojnë se ato duhet të jenë të paktën një përqind të prodhimit vendor bruto (PVB), por nga ajo që kanë konstatuar revizorët për vitin 2024, fondet e miratuara përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal arrijnë vetëm 0,08% të PVB-së, ose 0,01% më pak se në vitin 2023.

“Të dhënat nga Sektori për Buxhetin dhe Fondet tregojnë se përmes programeve të zbatuara nga institucione të shumta këto fonde arrijnë deri në 1% të PVB-së për vitin 2023 dhe janë dukshëm më të ulëta se ato të realizuara në vitin 2023, kur u realizuan 3,15% të PVB-së për vitin 2022,” thuhet në raport.

Në të njëjtën kohë, siç është theksuar, devijimi më i madh mes shumës maksimale të shpenzimeve dhe fondeve të miratuara është konstatuar në seksionin për Qeverinë dhe Byronë për Zhvillim Rajonal.

Ashtu si edhe për vitet e kaluara, ashtu edhe në këtë raport gjetjet e ESHR-së janë se Ministria e Financave nuk ka dorëzuar pranë Qeverisë raport për arsyet e kërkesave buxhetore të paharmonizuara.

Në këtë drejtim revizorët e theksojnë nevojën për përforcimin e procedurës për harmonizimin e propozimeve për kërkesat buxhetore midis Ministrisë së Financave dhe shfrytëzuesve buxhetorë me qëllim minimizimin e rrezikut që fondet e planifikuara të mos i pasqyrojnë nevojat reale të shfrytëzuesve buxhetorë, por edhe për shkak të nevojës që Qeveria të informohet për arsyet e mospajtueshmërisë mes fondeve të kërkuara dhe të miratuara për shfrytëzuesit buxhetorë.

Përndryshe, në gjetjet e raportit janë analizuar edhe të hyrat e përgjithshme nga huamarrja në vend dhe jashtë vendit në vitin 2024. Sipas ESHR-së, pjesëmarrja e tyre në të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit Bazë është 33,5%, që është një rritje prej 2,5% krahasuar me vitin 2023.

“Të hyrat nga huamarrja në vend përbëjnë 56% të të hyrave të përgjithshme mbi bazë të huamarrjes së shtetit dhe pjesëmarrja e tyre në strukturën e huamarrjes është rritur krahasuar me vitin 2023, kur ishte 45%, ndërsa të hyrat e gjeneruara mbi bazë të huamarrjes nga jashtë prej 42.975.791,000 denarë janë për 4% më pak krahasuar me vitin 2023”, thuhet në raport.

Sa i përket burimeve nga të cilat Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut (FSPIRMV) i siguron fondet për pagesën e pensioneve, në vitin 2024 nuk është vënë re ndonjë përmirësim krahasuar me dy vitet e mëparshme – 2023 dhe 2022.

Sipas ESHR-së për mbulimin e deficitit të Fondit pensional nga Buxheti Bazë në vitin 2024 janë paguar 23.119.600,000 euro, që është 26% e mjeteve të përgjithshme të Fondit për Pagesën e Pensioneve. Nga ESHR thonë se kjo tregon për nevojën për mbështetje financiare për Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë pjesë revizorët theksojnë se më shumë para nga buxheti janë ndarë për pensionet në vitin 2024, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa një nga arsyet për këtë është edhe rritja lineare e pensioneve.

“Shpenzimet e përgjithshme për pagesat e pensioneve në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 janë rritur për 16,27%, si rezultat i harmonizimit prej 5.3% të pensioneve më 01.03.2024, rritjes lineare të pensioneve për 2.500 denarë duke filluar nga 01.09.2024, si dhe fluksit të përfituesve të rinj të pensioneve“, thuhet në raport.

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar edhe se borxhi shtetëror më 31 dhjetor të vitit 2024 arriti në rreth 8,3 miliardë euro, ose pak më shumë se një miliard euro krahasuar me vitin 2023, kur ishte 7,2 miliardë euro.

“Borxhi shtetëror më 31 dhjetor të vitit 2024 arriti në 53,8% të PVB-së dhe është rritur krahasuar me vitin 2023 kur arriti në 49,8% të PVB-së”, thanë nga ESHR.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave borxhi publik më 31 dhjetor të vitit të kaluar arriti në rreth 8,5 miliardë euro dhe krahasuar me vitin e kaluar është rritur për 1,1 miliardë euro.

“Raporti i borxhit publik në raport me PVB-në më datë 31.12.2024 është 62,4% dhe krahasuar me vitin 2023 kur ishte 58.1% është rritur“, thuhet në raport.

Kujtojmë se në një raport paraprak, Revizioni, në Fondin për Inovacion ka konstatuar dobësi dhe inkosekuencë që tregojnë nevojën për përmirësimin e menaxhimit financiar, forcimin e kontrolleve dhe respektimin e plotë të rregullativës ligjore. Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mosharmonizim në funksionimin dhe për shkak të rëndësisë së tyre është shprehur opinion i pavolitshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2024 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogaritë e buxhetit themelor dhe opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2024 të llogarisë së buxhetit të aktiviteteve të vetëfinancuara.