Në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit u arrestuan shtatë persona për dhunë në familje

Policia e Maqedonisë së Veriut për 24 orë ka arritur të arrestojë shtatë persona nën dyshimet për dhunë në familje. Këto arrestime kanë ardhur nga nëntë raportimet në stacionet e policisë, transmeton Portalb.mk.

“Një grua 37-vjeçare denoncoi se më 21.06.2026, rreth orës 22:30, në shtëpinë e prindërve të saj në zonën e Bit Pazarit, bashkëshorti i saj G.J. (31) nga Shkupi kishte bërë kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj”, raportoi Policia.

Një 51 vjeçar nga Gjevgjelia u arrestua për sulm fizik ndaj bashkëshortes, ndërsa 73 vjeçari nga Shkupi u arrestua nën dyshimet se ka sulmuar vajzën e tij 35 vjeçare, ndërsa 37 vjeçarja nga Shkupi u arrestua nën dyshimet se ka sulmuar nënën 69 vjeçare.

“Një burrë 45-vjeçar denoncoi se në shtëpinë e tij në zonën e Karposhit ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij A.P.S. (44), e cila kishte hedhur edhe sende të forta në drejtim të tij”, raportoi Policia.

Policia e ka arrestuar 44 vjeçarin, nën dyshimet se ka bërë kërcënime në një festë familjare në rrethinë të Shkupit, ndërsa 30 vjeçari nga Tetova u arrestua nën dyshimet se ka sulmuar 61 vjeçarin. Një 34 vjeçar nga Kumanova u arrestua nën dyshimet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten 23 vjeçare.

“Nëpunësit policorë të SPB Tetovë e privuan nga liria A.I. (28) nga Tetova. Më parë, nëna e tij 51-vjeçare kishte denoncuar se rreth orës 12:00, në shtëpinë familjare, A.I. kishte filluar të sillej në mënyrë agresive dhe të shkatërronte orenditë shtëpiake pasi nuk i kishte dhënë aq para sa i kishte kërkuar. Më pas ai kishte kërcënuar me thikë bashkëshorten e tij 24-vjeçare dhe kishte sulmuar fizikisht nënën e tij”, sqaroi Policia.