Në Maqedoni partitë shqiptare si këpurdhat pas shiut, sa janë deri tani ?!

Shkruan: Naser Pajaziti

Në Maqedoninë e Veriut ende nuk po shuhen preferencat për formimin e partive politike shqiptare, numri i të cilëve aktualisht ka arritur në rreth 9 apo 10 parti.

Gjatë periudhës së fillimeve të pluralizimit politik dhe deri tani në skenën politike shqiptare po llogariten të jenë mbi 20 parti politike.

Në garën politike deri tani vazhdimisht kanë dalë subjekte të reja politike, por me një turr më të vogël, por fluksi më i madh apo sindroma e partive të reja ka nisur gjatë kësaj periudhe të etheve verore, kur pas shumë përçarjeve dhe tronditjeve brendapartiake, lindën formacione të reja, që janë në strukturim e sipër.

Në skenën politike tashmë numërohen këto parti: BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim)-Ali Ahmeti, ASH (Aleanca për Shqiptarët)-Arben Taravari, Lëvizja BESA-Bilall Kasami, Alternativa(AAA)-Afrim Gashi, PDSH (Partia Demokratike Shqiptare)-Menduh Thaçi, Lëvizja Demokratike (LD)-Izet Mexhiti, Partia Demokratike Evropiane (PDE)-Arjanit Hoxha, Lëvizja Qytetare Evropiane (LQE)-Gjyle Çeliku.

Por subjekt të ri paralajmëroi edhe deputeti i pavarur Skender Rexhepi-Zejdi që braktisi Alternativën. Ndërkohë, tentime dhe paralajmërime ka edhe nga fraksione tjera. Në valën e këtyre përçarjeve të vlimeve të fundit politike ndërpartiake, pësuan BDI nga e cila doli LD e Mexhiti, BESA nga e cila doli PDE me Hoxhën, si dhe paralajmërimet nga Zejdi për parti të dalur nga gjiri i AAA.

Vala e parë e themelimit të partive me bollëk

Derisa në fillim të pluralizmit politik ka funksionuar vetëm një parti politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), dy dekadat e fundit skena politike shqiptare gradualisht në disa etapa kohore pasurohet me dhjetëra parti të reja, shumica prej të cilëve kohë pas kohe kanë shuar aktivitetin e tyre politik.

Përveç atyre tradicionale PPD, PDSH, BDI, më pas në periudhën 2009 si fraksion i PDSH-së doli Demokracia e Re me Imer Selmanin. Në këtë periudhë të zhvillimeve politike themelohet RDK e udhëhequr nga profesori Rufi Osmani. Themelimi i subjekteve të reja nuk ka të ndalur, ashtu që më 2014 nga PDSH pati edhe një çarje të re nga ku doli LR-PDSH e prirë nga Ziadin Sela, e cila më vonë pagëzohet dhe mban emrin Aleanca për Shqiptarët (ASH).

Në periudhën e vitit, del në skenë një subjekt i ri politik Lëvizja BESA që do të udhëhiqet nga Bilall Kasami. Në të njejtën periudhë themelohet edhe partia Uniteti e prirë nga Gëzim Ostreni, por që ky subjekt nuk ishte jetëgjatë. Në prapavijë funksiononin edhe fraksione të heshtura, por edhe PPD, që herë dilte e herë zhdukej.

Historia postpluralizmit

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) e udhëhequr nga lideri i saj, Nevzat Halili, konsiderohet si bartëse e procesit të pluralizimit, ndërsa më vonë pasojnë edhe dy partitë tjera, Partia Demokratike Popullore (PDP) me kryetar Iljaz Halimi dhe më pas Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve (PPDSH) me kryetar Arbër Xhaferi, e cila më vonë do të shëndrrojë emrin në PDSH-Partia Demokratike Shqiptare.

Në këtë garë politike gjatë periudhës së viteve 94-98 kanë funksionuar edhe dy parti tjera shqiptare, të cilat janë më pak të njohura për elektoratin shqiptar, Partia Liberal-Demokrate Shqiptare e udhëhequr nga Hisen Ramadani, Partia Republikane e Unitetit Popullor me në krye Nevaz Halilin dhe Partia e Aksionit Demokratik- Rruga Islame, në të cilën ishin tubuar kryesisht personalitetet të sferës fetare.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 1998 skenës politike iu bashkangjitën edhe parti të tjera politike: Alternativa Demokratike me udhëheqës Asllan Selmani, Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptare me kryetar Besnik Telai dhe Partia Demokratike Kombëtare(PDK) me kryetar Kastriot Haxhirexha, e cila promovoi programin e saj politik për federalizmin e Maqedonisë. Përveç këtyre subjekteve politike, në skenën politike në mënyrë ilegale kanë funksionuar me rrjetet e tyre edhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Partia e Ballit Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit. Më pas edhe Alternativa Kombëtare (AK), e Harun Aliut. Një pjesë e këtyre aktivistëve të partive politike kanë zhvilluar politikën e tyre në legalitet dhe ilegalitet dhe se janë ndjekur nga ana e strukturave shtetërore. Por aktualisht skena politike po dominohet nga dy partitë parlamentare BDI dhe PDSH dhe në anën tjetër nga partitë opozitare jashtë parlamentare BESA, LR-PDSH, Uniteti, RDK dhe parti tjera më të vogla, që funksionojnë pa vula dhe dokumente zyrtare.