Në KQZ u druhen zgjedhjeve të reja

Pas zgjedhjeve nacionale të fillimvitit, zgjedhjeve lokale e balotazhit, janë paralajmëruar zgjedhje të parakohshme nacionale, në rast se qeveria nuk formohet. Në KQZ, por edhe monitorues të zgjedhjeve, numërojnë sfidat që prodhon kjo situatë dhe shprehën drojën se mund të ketë edhe kontestim rezultati
Sfidues për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është vlerësuar organizimi i zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme, që mund të shpallen pas dështimit për formimin e qeverisë.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka përmendur administrimin e votimit nga jashtë e çështjen e buxhetit, si sfidat me të cilat mund të përballet ky institucion.

“Një nga sfidat kryesore do të jetë edhe operacioni i votimit jashtë vendit, dërgimi i fletëvotimeve ashtu siç ka ndodhur në këto zgjedhjet e fundit lokale, pastaj e kemi ende të paqartë çështjen e buxhetit sepse ne në këto zgjedhje, që sapo përfunduan pothuajse gati, kemi kërkuar buxhet shtesë për disa operacione, e kryesisht për operacionin e votimit jashtë vendit dhe një përgjigje që ka ardhur nga Qeveria, kanë thënë që nuk kemi bazë ligjore për të ndarë mjete më shumë sesa që është e paraparë. Unë nuk e di se si do të arrihet mënyra e ndarjes së një buxheti i cili ndoshta tejkalon shumën e mbi 8 milionë eurove”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, vështirësi do të sjellë edhe periudha e shkurtër për kontraktimin e operacioneve të prokurimit.

“Periudha e shkurtër natyrisht mund të sjellë edhe vështirësi, por në të njëjtën kohë edhe kosto më të lartë. Po, zgjedhjet e jashtëzakonshme zakonisht janë më të ndërlikuara, por ne po shpresojmë që t’i kryejmë detyrat dhe obligimet e tona ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e parakohshme që mund të mbahen në dhjetor, do të shënonin procesin e katërt të votimit brenda një viti. Pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, zgjedhjeve lokale të 12 tetorit e balotazhit, më 9 nëntor organizohet edhe balotazhi në shumicën e komunave ku kandidatët për kryetar nuk siguruan më shumë se 50 për qind të votave në rrethin e parë të votimit.

Sipas hulumtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, administrimi i zgjedhjeve të parakohshme është më i vështirë.

“Në aspektin logjistik zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë shumë më vështirë të administrueshme sesa zgjedhjet e rregullta. E duke qenë se zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit patën shumë probleme me numërimin, votimin jashtë vendit, me rezultatet e të tjera, vetëm mund të paramendojmë një situatë ku e gjithë puna që është kryer për gjashtë muaj, shumë prej operacioneve, të cilat nuk janë kryer siç duhet, do të duhej që të administroheshin në vetëm 30-40 ditë”, ka deklaruar Cakolli.

Pos votimit nga jashtë dhe buxhetit të mangët, Cakolli përmendi si telash edhe procesin e numërimit dhe të shpalljes së rezultateve.

“Unë besoj që përtej aspektit buxhetor që është sfidë në vetvete, në kuptimin e administrimit dhe organizimit të procesit, Kosova do të rrezikonte një proces i cili do të mund të ishte me shumë të meta e mangësi e që potencialisht do të mund të përdorej pastaj edhe për kontestim të vetë rezultatit zgjedhor”, ka thënë ai.

E krahas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale e zgjedhjeve eventuale të parakohshme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar zgjedhje të parakohshme edhe në pranverë, duke parashikuar dështimin e zgjedhjes së presidentit. Ai ka theksuar se nëse për nëntë muaj nuk është arritur të ndërtohet koalicion qeverisës, që kërkon sigurimin e së paku 61 votave nga 120 deputetët sa ka Kuvendi, është problem të sigurohen 80 vota për zgjedhjen e presidentit, proces që nëse dështon imponon zgjedhje të parakohshme.

Gashi ka thënë se mos stabiliteti institucional po ndikon në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Së pari tregon për një jostabilitet të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës, zgjedhje pas zgjedhje dhe ky jostabilitet natyrshëm që reflekton edhe në institucione, duke përfshirë edhe institucionin tonë për faktin se është një ndërmarrje e madhe. Në procesin zgjedhor marrin pjesë më shumë se 20 mijë njerëz të përfshirë në këtë proces, duhet një menaxhim adekuat në mënyrë që procesi të përfundojë ashtu siç e duan ligji dhe kushtetuta”, ka thënë anëtari i PDK-së në KQZ.

Pas dështimit për të krijuar qeverinë më 26 tetor, subjektet politike janë shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Për shpalljen e tyre, presidentja Vjosa Osmani duhet fillimisht të zhvillojë diskutime me partitë politike. Për këto diskutime, Osmani ka kohë edhe tetë ditë, por paraprakisht do të shohë nëse ndonjë subjekt mund të propozojë mandatar për formimin e qeverisë.