Në konflikt prej vitesh për pronën, si e vrau ish- kunatën 34 vjeçari shqiptar

Vijon të jetë e tensionuar situata mes familjeve Tanushi e Hasani, pas vrasjes së djeshme të ndodhur në Bathore. Policia ka marrë në mbrojtje familjen e Agron Tanushit, i cili qëlloi dje për vdekje në banesë ish kunatën Jetmira Hasani pas një konflikti të momentit.

Por sherri e tensionet mes palëve kanë zgjatur prej vitesh, pas ndarjes së Jetmira Hasanit me të vëllanë e autorit të krimit. Viktima ishte divorcuar prej 4 vitesh por qëndronte ende në banesën e ish të shoqit në Bathore së bashku me fëmijën e saj 7 vjeçar. Konflikti mes viktimës e autorit qëndronte pikërisht në pronësinë e banesës në Bathore, atje dhe ku dje ndodhi vrasja. Konflikti është shtuar po aq edhe nga mungesa e ish burrit të Jetmirës, pasi ky i fundit është larguar si emigrant drejt Greqisë.

Ndërkohë sot, policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit pasi vrasja mund të pasohet me hakmarrje nga ana e familjes së viktimës, duke sjellë një tjetër zinxhir vrasjesh.

34 vjeçari Agron Tanushi e qëlloi për vdekje me të paktën dy plumba pushke ish kunatën Jetmira Hasani mbrëmjen e djeshme, në Bathore të Tiranës. Në momentin e vrasjes i pranishëm ka qenë dhe fëmija i Jetmirës.

Policia nga ana tjetër vijon me hetimet dhe kontrollet për gjetjen e Agron Tanushit, i cili pas krimit u arratis.