Në Klinikën për Onkologji në Shkup nuk bëhet analiza për tumor markeret, ka dështuar tenderi

Analiza e tumor markereve për momentin nuk kryhet në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi në Shkup, kjo për shkak se është anuluar prokurimi publik, ndërkaq pacientët këtë analizë duhet ta kryejnë në laboratorë tjerë publike, shkruan Portalb.mk.

Një paciente e cila tani e disa vite është paciente në Klinikën e Onkologjisë në Shkup dje pati kontroll të rregullt në klinikë, ajo për Portalb.mk tregoi se mjeku i kishte thënë se nuk mund t’ia bëjnë analizën e tumor markereve për shkak se nuk ka materiale.

“Këtë analizë e kam bërë çdoherë këtu kur kam pasur kontrollë, mjeku më tha se për shkak se nuk ka materiale për këtë analizë dhe se të njëjtën mund ta bëj në spitalin e qytetit nga ku vij dhe onkologët nga aty mund ta shohin rezultatin”, tregoi ajo.

Ajo tha se nuk duhet të ketë kështu mungesash dhe se duhet të merren masa që kjo analizë e cila është mjaft e rëndësishme për pacientët, të ju ofrohet atyre në çdokohë, dhe jo të ketë mungesa.

Nga ana tjetër, nga Klinika për Onkologji për Portalb.mk theksuan se analiza nuk kryhet momentalisht pasi është anuluar prokurimi publik.

“Në Qendrën Klinike për Radioterapi dhe Onkologji ISHP – Shkup, analizat e tumor markereve aktualisht nuk kryhen për shkak të anulimit të prokurimit publik, por procedura është rishpallur dhe analizat së shpejti do të jenë të disponueshme. Ndërkohë, pacientët mund t’i kryejnë këto analiza në rreth 40 laboratorë publikë”, thanë nga Klinika për Onkologji.

Nga aty nuk sqaruan se kur konkretisht kjo analizë do të fillojë të bëhet sërish në klinikë.

Kujtojmë se për keqpërdorimet në Klinikën e Onkologjisë të cilat bënë bujë në opinion po zhvillohen dy procese. Lënda u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave (“Onkologjia 1”), ku drejtori dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Ndërsa në tjetrën, dy ish-drejtorët po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.