Në kërkim të pasardhësit të Titos! PRSD zgjedh kryetarin e ri, po sa kandidatë do të garojnë?

Pas paralajmërimit të Tito Petkovskit për largim nga politika dhe nga posti i kryetarit, Partia e Re Socialdemokrate në kongresin e ardhshëm do të zgjedh udhëheqësin e ri. Kryetari në largim pohoi se si parti janë të suksesshëm dhe kanë lënë shenja në politikbërjen në vend.

“Që nga formimi i partisë e deri më sot e dini se ka pasur edhe ngritje edhe ulje dhe kjo ndodh edhe në jetën reale, por nëse bëjmë një bilanc PRSD është një parti politike e suksesshme dhe pres që trendi i njëjte të vazhdojë”- deklaroi Tito Petkovski, kryetar në largim i PRSD.

Këshilli qendror do të vendos se kush do të jetë kandidat për të parin e partisë, ndërsa kryetari tani në largim, Petkovski, nuk tregoi se cilin kandidat e ka të preferuar, por në Bordin Qendror erdhi i shoqëruar nga kandidati për kryetar, Kristijan Trajkovski.

“Unë si kryetar i partisë duke promovuar dhe siguruar deri tani demokracinë do të insistoj në vazhdimin e këtij kursi dhe do të luftoj që njerëzit në kongres të kenë të drejtën të zgjedhin dhe jo të votojnë. Votohet vetëm kur është konfirmuar kandidati, ndërsa zgjidhet, nëse ka më shumë kandidat”- pohoi Tito Petkovski.

Njëri prej kandidatëve potencial për kryetar partie , Kristijan Trajkovski tha se edhe nëse vendoset që në kongres të shkohet vetëm me një kandidat, sipas rregullores së partisë ai ka të drejtë që në ditën e kongresit të përsëri vetëkandidohet.

“Për momentin unë dhe Goran Misevski kemi më shumë nominime nga organizatat ndërkomunale për kryetar partie. Sipas rregullores së Bordit Qendror, programi im është dorëzuar në mënyrë të rregullt duke respektuar të gjitha afatet dhe punët statutore. Pres që sot të mbizotërojë fryma demokratike dhe të konfirmojmë më shumë kandidatë për kryetar partie”- tha Kristijan Trajkovski, kandidat për kryetar.

Kandidati tjetër Goran Misovski nuk u deklarua aspak për mediat sa i përket kandidaturës së tij për lider partie. Ai dy ditë më parë, në një postim në profilin e tij në Facebook, njoftoi se Kryesia Ekzekutive e ka konfirmuar emrin e Misevskit si kandidat të vetëm për kryetar. Përndryshe kjo parti ka 2 deputet në Kuvend, Goran Misovski dhe Sonja Mirakovska dhe disa këshilltarë në disa komuna në vend.