Në Kërçovë bizneset e vogla po mbyllen një nga një!

Pas 20 viteve punë, një butik i vogël i dashur për lagjen dhe klientët besnikë, do të mbyll dyert e tij.
Fillimet kanë qenë të suksesshme, gjithçka ka ecur për së mbari deri kur u përhap virusi Korona. Që atëherë shumë gjëra morën një dimensioni tjetër, gjërat filluan të përkeqësohen.
Në këto dy dekada, ai ka qenë më shumë se një dyqan në Kërçovë – ka qenë vend takim ku ka pasur biseda të ngrohta, thotë pronari Aleksandër Jankullovski.

“Puna shkonte në vijën më të lartë, megjithatë pas një periudhe, gjërat filluan të shkonin keq, sidomos kur ishte Korona. Ato kohëra ishin shumë të rënda, u mbajtëm disi, megjithatë me vetë migrimin e të rinjve por edhe të moshuarve, me marrjet e ulëta, me ushqimet e shtrenjta, me shtrenjtimin e barërave puna u zvogëlua”, tha Jankullovski.

Puna ka rënë, shitjet online kanë marrë thuajse të gjithë klientët, dhe si ky edhe shumë biznese të tjera të vogla janë detyruar të mbyllen. Aleksandri thotë se tanimë qytetarët blejnë më pak gjëra edhe atë vetëm për kohë festash.

“Më përpara merrnin shumë. Kur blinin për Bajram dhe Pashkët njerëzit blinin për të gjithë. Tani blejnë vetëm për më të voglit dhe nëse marrin thonë një palë çorape të paktën të marr, pra fuqia e parasë ka rënë shumë”, tha më tej Jankullovski.

Gjatë viteve të fundit, tregtia me pakicë ka pësuar ndryshime të mëdha për shkak të rritjes së blerjeve online. Konsumatorët gjithnjë e më shumë zgjedhin të blejnë përmes internetit, për shkak të çmimeve më të ulëta dhe mundësisë për t’i marrë ato në shtëpi pa humbur kohë.