Në Hanoi po ngrihet stadium më i madh në botë me 135 mijë vende

Në jug të Hanoi po ndërtohet “VinFast Stadium”, me kapacitet prej 135 mijë spektatorësh. Ndërtimi nisi në dhjetor 2025 dhe pritet të përfundojë në korrik 2027.

Stadiumi do të ketë një çati tërësisht të lëvizshme, ndërsa shtyllat kryesore të konstruksionit arrijnë gati 80 metra lartësi. Objekti do të përdoret për futboll, aktivitete të mëdha sportive, koncerte dhe ngjarje ndërkombëtare.

Stadiumi është pjesë e një projekti shumë më të madh sportiv dhe urban pranë Hanoi-t, me sipërfaqe mbi 9 mijë hektarë dhe investim të parashikuar rreth 35 miliardë dollarë.

Megjithatë, kapaciteti gjigant ngre pikëpyetje për shfrytëzimin e tij të përditshëm, pasi ndeshjet e kampionatit vietnamez kanë pasur mesatare ndjekjeje nën 6 mijë spektatorë në sezonin 2023/24.

Nëse projekti përfundon sipas planit, Hanoi do të ketë një nga stadiumet më të mëdha në botë.