Kosovë-Shqipëri Në Gjilan e Han të Elezit, arrestohen katër persona për kultivim dhe...

Në Gjilan e Han të Elezit, arrestohen katër persona për kultivim dhe trafikim me narkotik

Policia e Kosovës njofton se sot ka arrestuar katër persona, dy në Gjilan dhe dy të tjerë në Han të Elezit, të dyshuar për kultivim dhe trafikim me narkotik.

Sipas njoftimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjilan, në ora 09:30 ka kontrolluar objektet e dy të dyshuarve: L.K., (viti i lindjes 1999, mashkull, kosovar) dhe M.K., (viti i lindjes 1975, mashkull, kosovar).

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar si prova: substancë narkotike-marihuanë me peshë prej 121.2 gram nëntë bimë kanabis–sativa; një armë gjahu dhe 159 copë fishekë”, thuhet në komunikatën për media.

Dy të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Ndërsa në rastin e dytë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Ferizaj, pas pranimit të një informate se në një shtëpi banimi në fshatin Paldenicë –Hani i Elezit është duke u kultivuar kanabis-sativa, kanë realizuar kontroll në atë lokacion.

“Gjatë kontrollit është gjetur një laborator i improvizuar në të cilin kishin qenë duke u kultivuar bimët kanabis-sativa”, thuhet më tej në komunikatë.

Si prova materiale janë konfiskuar 26 bimë kanabis-sativa dhe janë sekuestruar disa pajisje që janë përdorur në atë laborator.

“Lidhur me këtë, policia ka arrestuar dy të dyshuar: A.B., (viti i lindjes 2003, mashkull, kosovar) dhe A.B., (viti i lindjes 1996, mashkull, kosovar). Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”.