Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës u promovua libri “Vite të përgjimeve” i autorit Muhamed Halili

Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës u promovua libri “Vite të përgjimeve” nga autori Dr. Muhamed Halili. Në këtë ngjarje morën pjesë profesorë, politikanë, bashkëveprimtarë të autorit dhe studentë.

Libri “Vite të përgjimeve” trajton periudha të ndjeshme të realitetit shqiptar, duke sjellë rrëfime dhe analiza mbi jetën nën survejim, kufizimet e lirisë dhe pasojat që ato kanë lënë te shoqëria jonë. Ai ngre pyetje mbi lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar pa frikë, duke e vendosur lexuesin përballë një historie që nuk duhet harruar.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti për veprën që u promovua sot theksoi se autori, duke u rikthyer në gjenezën e mosmarrëveshjeve maqedonase – shqiptare, argumenton se ato burojnë nga dy këndvështrime të ndryshme dhe shpesh polarizuese: njëri dominues apo hegjemonist, dhe tjetri dekolonizues, që kundërshton nënshtrimin duke kërkuar të drejta të barabarta. Çështja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në vështrimet e tij, vendoset në një kontekst më të gjerë rajonal dhe ndërlidhet me zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet elitave politike shqiptare si një faktor kyç për arritjen e lirisë dhe barazisë së plotë.

Mendimet e tij rreth këtij libri i shpalosi edhe Prof. Dr. Ibish Kadriu. Ai u shpreh se autori i librit, “Vite të përgjimeve”, përpos tematikave të ndjeshme që trajton, zgjon edhe kujtesën historike të popullit shqiptar këtu në Maqedoninë e Veriut. “Zgjimi i kësaj kujtese historike sidomos në sferën e politikës publike, na bën neve “qenie politike”, dhe gjithashtu na shërben edhe si udhërrëfyes për dilemat e shumta politike që u takojnë brezave të rinj. Autori i këtij libri z. Muhamed Halili duke qenë edhe vetë protagonist kyç në këtë lëvizje politike, duke pasur dijen, guximin që t’i botojë dhe të shpalosë bindjet, mendimet dhe qëndrimet e tij politike, me një penë të mprehtë tregon realitete që duket se janë harruar, por që fatkeqësisht edhe sot janë pjesë e politikës publike”, deklaroi, Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Recensentët e këtij libri, Prof. Dr. Xheladin Murati dhe Prof. Dr. Hasan Jashari u shprehën se ky libër nuk është thjesht një rrëfim personal, por një dëshmi e kohës, një pasqyrë e rrethanave të vështira nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë. Fjalët e tyre nuk mbetën vetëm në rrafshin akademik, ata po ashtu evokuan kujtime nga e kaluara, duke rikthyer në kujtesën kolektive momente të atyre kohërave, sa të vështira po aq edhe të arta.

Autori i librit, Dr. Muhamed Alili, theksoi se ky botim nuk është autobiografik, por një libër me premisa të së kaluarës, si dhe me porosi politike e filozofike. Ai u shpreh se libri pasqyron të kaluarën tonë dhe ofron një vizion për të ardhmen. Dr. Muhamed Alili shprehu keqardhje që politika shqiptare në përgjithësi, duke filluar nga gjenerata e tij e deri te gjeneratat e tjera politike shqiptare, ka qenë një politikë e përgjimeve dhe dajakut. Ai nënvizoi se duhet vlerësuar fakti se kjo politikë nuk ishte politikë e shqiptarëve të Maqedonisë, por një politikë e sinkronizuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me politikën e Shqipërisë. Sipas tij, atëherë ekzistonte një platformë e përbashkët veprimi dhe çdo lëvizje, qoftë pozitive apo e gabuar, ishte bërë në konsultim të përbashkët, gjithnjë me synimin për të gjetur një rrugëdalje sa më të mirë për shqiptarët e këtyre trevave. Pjesëmarrësit në këtë veprimtari, vlerësuan se ky libër është i një rëndësie të veçantë, sepse shërben si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe lëvizjeve politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.