Në “Bllacë” kapen 120 kilogramë duhan për nargjile

Zyrtarët doganorë në kalimin kufitar Bllacë, në hyrje të vendit, parandaluan një tentativë për kontrabandë të gjithsej 120 kilogramëve duhan për nargjile, me vlerë prej 384 mijë denarësh, të cilat ishin destinuar për shitje në tregun maqedonas.

Ndaj kryerësit, nga ana e Departamentit të Hetimeve, është dorëzuar padi penale për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.

Me këtë është parandaluar tentativa për tregti ilegale me mallra akcizore për të cilat është shmangur pagesa e detyrimeve në vlerë prej 744 mijë denarësh, prej të cilave 342 mijë denarë i referohen akcizës.

Kryerësi F.B., shtetas i Maqedonisë së Veriut, kishte furnizuar gjithsej 480 paketime duhan për nargjile prej 250 gramësh nga një person në Prishtinë dhe të njëjtat i kishte fshehur në bagazh, duke vendosur një pjesë në hapësirën e rrotës rezervë, ndërsa pjesën tjetër e kishte mbuluar me mbulesë. Gjatë hyrjes në shtet, në pyetjen e zyrtarëve doganorë nëse kishte diçka për të deklaruar, personi u deklarua se nuk kishte asgjë.

Për shkak të dyshimit në deklaratën e dhënë, zyrtarët kryen një kontroll të detajuar, me çka u gjetën produktet e duhanit të paparaqitura. Që nga fillimi i vitit, Drejtoria e Doganave ka zbuluar katër raste të veprave penale të lidhura me kontrabandën dhe tregtinë ilegale të produkteve të duhanit, për të cilat janë dorëzuar padi penale përkatëse në prokurorinë kompetente.

Duhani ilegal rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe minon tregtinë legale, andaj Drejtoria e Doganave në vazhdimësi zbaton aksione me qëllim parandalimin e tentativave për kontrabandë të duhanit dhe produkteve të duhanit.